Përgatitjet për edicionin e pestë të Big Brother VIP po hyjnë në fazën finale dhe surprizat kanë nisur të publikohen njëra pas tjetrës.
Një ndër më të rëndësishmet është padyshim ekipi i ri që do të marrë drejtimin e programit shumë të ndjekur “Big Brother VIP: Fan Club”.
Burime të sigurta kanë konfirmuar se këtë sezon, drejtimi i “Fan Club” i është besuar dy emrave të njohur të medias dhe showbiz-it: Egli Tako dhe Ronaldo Sharka.
Në të kaluarën, mes tyre ka pasur kritika dhe përplasje publike lidhur me analizat e lojës së banorëve në edicionet e mëparshme.
Megjithatë, duket se koha i ka zbutur diferencat, pasi raporti i tyre është forcuar ndjeshëm muajt e fundit, duke u shndërruar në një miqësi të sinqertë dhe një bashkëpunim profesional.
Sipas raportimeve, Egli Tako këtë herë do të jetë moderatorja kryesore e “Fan Club”-it, duke sjellë në ekran stilin e saj energjik dhe qasjen kritike, ndërsa Ronaldo Sharka rikthehet në program si Producent Ekzekutiv – një rol kyç që i jep atij drejtim dhe përgjegjësi të reja pas eksperiencave të tij si opinionist.
Thuhet se afrimiteti i krijuar së fundmi mes tyre ka qenë arsyeja kryesore që i ka çuar drejt këtij bashkëpunimi të shumëpritur.
Ky ndryshim pritet t’i sjellë emisionit një frymë të re, energji të freskët dhe një dinamikë tjetër në mënyrën se si do të analizohen ngjarjet brenda shtëpisë së BBV.
Tashmë mbetet të shihet sesi do të funksionojë kimia e kësaj dysheje në ekran gjatë sezonit të ri – një sezon që duket se do të jetë më i nxehti deri më tani.

