Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, ka theksuar se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës si presidente e Kosovës është në përputhje me kushtetutën e vendit.
Duke analizuar procesin e zgjedhjes, Hyseni theksoi se në sistemin parlamentar, arritja e marrëveshjeve politike është e mundur në çdo moment, përfshirë edhe në fund të afateve të caktuara.
“Marrëveshjet mund të arrihen në çdo moment, dhe kjo ndodhi mbrëmë. Rëndësia nuk qëndron në minutën e saktë të arritjes së marrëveshjes, por në faktin se ajo u arrit dhe u sigurua një dakordancë e plotë për të vazhduar me procedurat e nevojshme,” tha ai.
Hyseni theksoi se me zgjedhjen e presidentes është krijuar një situatë e re, duke e bërë atë zyrtare që në momentin e zgjedhjes.
Ai e përshkroi këtë zgjedhje si një hap të rëndësishëm në përmbylljen e procesit të krijimit të institucioneve qendrore shtetërore, pas konstituimit të Legjislaturës së 11-të dhe emërimit të qeverisë.
Profesori vlerësoi se nuk ka asnjë problem kushtetues në këtë proces, duke theksuar se procedurat janë zhvilluar brenda afateve të përcaktuara nga ligji.
“Ne jemi brenda afateve të caktuara. Kushtetuta vazhdon të jetë akti kryesor në hierarkinë e akteve juridike në fuqi,” përfundoi Hyseni.