Pas një periudhe të gjatë misteri që zgjati gati 30 vjet, një nga ngjarjet më të bujshme të historisë së hip-hopit ka marrë një kthesë të rëndësishme. Duane “Keffe D” Davis, një ish-anëtar i bandës South Side Compton Crips, është shpallur fajtor për vrasjen e ikonës së muzikës Tupac Shakur.
Juria në Las Vegas vendosi për fajësinë e 63-vjeçarit lidhur me vrasjen e reperit më 7 shtator 1996. Kjo vendim shënon një hap të rëndësishëm në një çështje që ka mbetur e pazgjidhur për një kohë të gjatë dhe që ka ngjallur shumë spekulime dhe teori konspirative.
Prokuroria theksoi se, ndonëse Davis nuk ishte personi që qëlloi drejtpërdrejt Tupac-un, ai kishte organizuar sulmin dhe kishte siguruar armën e përdorur. Arma, sipas hetimeve, iu dha nipit të tij, Orlando Anderson, i cili dyshohet se hapi zjarr nga një automjet në lëvizje.
Ngjarja e vrasjes është lidhur ngushtë me një përleshje që kishte ndodhur disa orë më parë në Las Vegas, ku Anderson kishte pasur një konflikt me Tupac dhe grupin e tij. Kjo përplasje, sipas prokurorisë, ishte shkaku që çoi në hakmarrjen fatale.
Në mbrëmjen e 7 shtatorit, Tupac po udhëtonte me makinë në Las Vegas kur një automjet iu afrua dhe filloi të qëllonte. Ai u dërgua menjëherë në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë më 13 shtator, në moshën 25-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të madhe muzikore.
Vrasja e tij, e cila mbeti pa autor për shumë vite, është shndërruar në një nga misteret më të mëdha të muzikës amerikane. Spekulimet dhe teoritë për motivet e atentatit kanë qenë të shumta, duke e bërë këtë çështje edhe më intrigante për adhuruesit e tij.
Një pjesë e rëndësishme e provave kundër Davis përfshijnë deklaratat e tij të bëra në vitet e kaluara. Ai kishte folur hapur për ngjarjen dhe kishte pranuar se ndodhej në automjetin nga ku u kryen të shtënat, duke dhënë detaje të tjera në intervista të ndryshme.
Davis gjithashtu kishte diskutuar për përfshirjen e tij gjatë një interviste sekrete me policinë në vitin 2008. Në vitin 2019, ai publikoi librin “Compton Street Legend”, ku përshkroi ngjarje nga jeta e tij dhe historinë e asaj periudhe.
Megjithatë, mbrojtja e tij argumentoi se deklaratat e Davis nuk ishin të besueshme, duke pretenduar se ai kishte ekzagjeruar përfitimet e tij personale dhe famën. Pas shpalljes së fajësisë, Davis njoftoi se do të apelojë vendimin, ndërsa familjarët e Tupac reaguan me emocione në sallën e gjyqit.
Por kush ishte vërtet Tupac Shakur, legjenda e muzikës hip-hop që vazhdon të përkujtohet me adhurim nga brezat e rinj? Tupac mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë së hip-hopit, me më shumë se 75 milionë albume të shitura në mbarë botën.
Reperi, i njohur për hite si “California Love” dhe “All Eyez on Me”, ishte pjesë e labelit Death Row Records, duke u përballur me rivalitetin e Bad Boy Records dhe artistëve të tjerë të njohur. Që nga adoleshenca, ai kishte përjetuar jetën e rrugës, një përvojë që ndikoi në tekstet e tij të fuqishme dhe emocionale.
Tupac, një revolucionar në muzikë, arriti të vetdijësojë popullin amerikan për të drejtat e tyre, veçanërisht për komunitetin e njerëzve me ngjyrë. Këngët e tij vazhdojnë të mbesin të veçanta dhe të dëgjuara edhe sot, duke pasuruar trashëgiminë e tij.
Yje të tjerë të hip-hopit, si Dr. Dre dhe Snoop Dogg, e nderuan atë në festivalin Coachella me një performancë hologrami, duke rikthyer në skenë legjendën për të interpretuar këngët e tij të njohura si “Americas Most Wanted” dhe “Hail Mary”.
Edhe pas 17 vjetësh nga vdekja e tij, 2Pac mbetet një emër me ndikim të madh në muzikën e hip-hopit të sotëm, duke u konsideruar i pavdekshëm përmes teksteve dhe këngëve që vazhdojnë të kujtojnë trashëgiminë e tij.
[[M1]]
[[M2]]
[[M3]]