E shtunë, 8 Shkurt, 2025
4.4 C
Pristina

Kurti e mbyll fushatën në Prishtinë me premtimin për 1 miliard euro në prodhimtari dhe ndërmarrësi

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se qeveria e tij “kurrë nuk i ka rrezikuar rapportet me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian”.

Sipas tij, asnjëherë në historinë e përfaqësimit politik të Kosovës nuk ka pasur marrëdhënie më të ngushta dhe më produktive me aleatët ndërkombëtarë.

“Qeveria jonë kurrë nuk i ka rrezikuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Përkundrazi, kurrë nuk ka pasur marrëdhënie më të gjera, më të thella, më përmbajtjesore dhe më cilësore me aleatët tanë se sa tani gjatë qeverisjes sonë”, theksoi Kurti.

Në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në Prishtinë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, dhe theksoi se zgjedhjet e 9 shkurtit do të ishin një “referendum historik” për të ardhmen e vendit.

Ai paralajmëroi për investime të mëdha gjatë katër viteve të ardhshme, duke përfshirë një fond prej 1 miliard eurosh për ushtri, prodhimtari dhe mbështetje për ndërmarrësinë.

“Ky investim do të përdoret për të krijuar mundësi të reja pune, dhe për të ulur varësinë nga importet. Së bashku, duhet të prodhojmë më shumë për të punësuar më shumë dhe për ta rritur ekonominë tonë”, shpjegoi Kurti.

Një nga masat e tij të para do të jetë zhvendosja e mbledhjes së tatimit mbi vlerën e shtuar për mallrat që hyjnë në vend, nga kufiri brenda territorit të Kosovës. Po ashtu, ai premtoi që do të eliminojë taksën doganore prej 10% për veturat nga Bashkimi Evropian në fillim të mandatit të ri.

“Ne kemi si synim ta bëjmë Kosovën një lider në përdorimin e valutës dixhitale, duke ofruar transport publik të integruar me një tarifë të perfitueshme prej 10 eurosh për muaj”, deklaroi ai.

Kurti gjithashtu do të angazhohet për të rritur numrin e çerdheve dhe për të ofruar 100 euro shtesë mbi pensionin bazë për gjyshërit që kujdesen për fëmijët.

“Ndryshime të tjera përfshijnë rritjen e pagës minimale deri në 500 euro gjatë mandatit të ardhshëm dhe mbështetje për sigurimet shoqërore për prindër dhe për ata që humbasin vendin e punës”, tha ai.

Në përfundim, Glauk Konjufca, kryetari i Kuvendit dhe kandidati për deputet, theksoi se qeverisja e Kurtit ka sjellë përmirësime të rëndësishme në ekonominë e vendit, duke rritur pagat, pensionet dhe bursat. Ai bëri thirrje për një dalje masive në zgjedhje, për të mbështetur LVV-në dhe për të vazhduar me reformat e nisura.

PROMO

Nga Rubrika