Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur shqetësimin e tij për rrezikun e humbjes së të drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Ai theksoi se është e domosdoshme që institucionet të veprojnë menjëherë për të përmbushur obligimet e tyre financiare.
Pas zhvillimeve të fundit në Samitin e Ballkanit, Rama e vuri në dukje se Kosova përballet me një situatë të vështirë, ku mundësia për të organizuar këto lojëra është në rrezik për shkak të obligimeve të papërmbushura dhe mungesës së përgjigjeve nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.
“Ka një rrezik të vërtetë. Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare na ka dërguar një letër, e cila është adresuar kryeministrit, mua si kryetar dhe presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës. Në këtë letër theksohet se nuk janë paguar shumat e nevojshme sipas kontratës, dhe gjithashtu nuk kemi marrë përgjigje për kërkesat tona,” shprehu Rama për “KosovaPress”.
Ai kërkoi një koordinim të vazhdueshëm mes institucioneve deri më 19 dhjetor, për të adresuar të gjitha shqetësimet dhe për të shmangur rrezikun e humbjes së mundësisë për organizimin e lojërave.
“Duhet ta trajtojmë këtë çështje me seriozitet të madh. Është e nevojshme që të takohemi rregullisht deri më 19 dhjetor me përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, për të diskutuar dhe shqyrtuar çdo pikë që ata kanë hezitime,” tha Rama.
Ai theksoi se është e rëndësishme që institucionet të përmbushin obligimet e tyre në kohë, për të shmangur ndonjë befasi të pakëndshme lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” janë planifikuar të zhvillohen nga 24 korriku deri më 4 gusht të vitit 2030.
Ky organizim pritet të përfshijë rreth 5 mijë sportistë nga 26 vende të ndryshme, duke përfshirë 24 sporte të ndryshme.