Të enjten, presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, realizoi një vizitë të rëndësishme në Kosovë, ku u prit me nderime shtetërore nga presidentja Vjosa Osmani.
Vizita e Rinkevicsit ishte një moment kyç për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke konfirmuar mbështetje të fortë dhe të vazhdueshme për njëri-tjetrin. Gjatë konferencës së përbashkët për media, dy liderët diskutuan mbi një seri temash të rëndësishme, përfshirë raportet e ndërsjella, çështjet e sigurisë dhe masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Presidenti leton shprehu qëndrimin e tij të qartë në favor të heqjes së masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës, duke theksuar se sa më shpejt të realizohet kjo, aq më mirë do të jetë për stabilitetin e rajonit. “Diskutuam edhe për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, dhe qëndrimi i vendit tim është që BE duhet t’i heq ato më shpejt”, tha ai.
Rinkevics gjithashtu potencoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, duke theksuar se dialogu është çelësi për arritjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë. “Ne besojmë se kjo është mënyra më e mirë për ta përmirësuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, nënvizoi ai.
Megjithatë, ai sqaroi se statusi i Kosovës si vend kandidat për anëtarësim në BE nuk është diçka që mund të premtosh me siguri, duke thënë: “Nuk mund të flas në emër të të gjitha shteteve anëtare”.
Presidenti Rinkevics theksoi edhe dëshirën e Letonisë për të forcuar marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Kosovën, duke shprehur mbështetje të plotë për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. “Letonia e mbështet plotësisht integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha ai.
Pjesë e dialogut mes dy liderëve ishte gjithashtu falënderimi i presidentes Osmani për mbështetjen e Letonisë ndaj Kosovës dhe ftesa për vizitë në të ardhmen. Rinkevics ftoi Osmanin që të vizitojë Letoninë, duke theksuar se ky do të ishte një hap pozitiv për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.
Presidentja Osmani theksoi se Kosova duhet të përfitojë nga mbështetja letoneze dhe se qytetarët e Kosovës kanë një nivel të lartë besueshmërie ndaj BE-së. “Është koha që të largohemi nga masat e padrejta që Bashkimi Evropian i ka ende në fuqi ndaj Kosovës”, tha ajo, duke kërkuar një zgjidhje që do të hapte rrugën për statusin e vendit kandidat.
Osmani falënderoi gjithashtu presidentin Rinkevics për vazhdimin e misionit të ushtarëve letonezë në Kosovë dhe diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. “Diskutuam edhe për modalitetet që Kosova të kontribuojë në mënyrë aktive në arritjen e objektivave të përbashkëta në fushën e sigurisë”, theksoi ajo.
Ajo u shpreh se Kosova po bën përpjekje të vazhdueshme për stabilitetin rajonal, përkundër sfidave dhe presioneve që vijnë nga Serbia. “Mungesa e përgjegjësisë vetëm po e inkurajon Serbinë për veprime tjetër destabilizuese”, tha Osmani.
Gjatë konferencës, ajo vuri në dukje edhe shqetësimet për draftin e Asociacionit të hartuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar atë si jo në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. “Ka probleme të shumta që i kemi adresuar edhe emisarit të ri të BE për dialogun, Peter Sorensen”, përfundoi ajo, duke kërkuar një qasje më të drejtë në raport me statusin e Kosovës.