Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka theksuar potencialin që ka Kosova për të nxitur rritjen ekonomike dhe për t’u bërë një faktor i rëndësishëm në sigurinë globale, përmes zhvillimit të industrisë së mbrojtjes dhe partneriteteve të forta me kompanitë amerikane.
Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së në Kosovë tha se është krenare që i është bashkuar Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kosovë për të diskutuar mbi zhvillimin e këtij sektori strategjik.
“Krenar të bashkohemi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, si dhe Odën Ekonomike Amerikane për diskutime të rëndësishme mbi industrinë e mbrojtjes së Kosovës.
Ky sektor ka potencial jo vetëm të nxisë rritjen ekonomike, por edhe ta pozicionojë Kosovën si kontribues kyç në sigurinë globale – të nxitur nga inovacioni dhe partneritetet e forta me kompanitë amerikane. Një industri e qëndrueshme, moderne e mbrojtjes forcon të dy kombet tona”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Ky angazhim i përbashkët thekson rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për zhvillim të ndërsjellë dhe siguri rajonale.