Ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të radhës në gjykimin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.
Florian Avdija, dëshmitar i propozuar nga Prokuroria, u betua në fillim të seancës se do të deklarohej nën betim për rastin.
Ai tha para trupit gjykues se është marrë në pyetje në lidhje me një biznes familjar dhe se kishte deklaruar se i njihte të akuzuarit.
“Me sa më kujtohet, jam marrë në pyetje për një biznes familjar. M’kanë pyet a i njeh të akuzuarit. I kam thënë po, sepse i kam bashkëfshatarë. Naimin e njoh më pak, nja 10 herë e kam parë pasi ka jetuar jashtë vendit. Ndërsa dy të tjerët i kam pasur klientë”, tha Avdija.
Ai shtoi se gjatë marrjes në pyetje i ishte kërkuar nëse kishte parë ndonjë shumë të madhe parash, por kishte mohuar një gjë të tillë.
“Natën kritike kam kontaktuar me Granitin, rreth orës 00:00, u kanë me një klub nate. I qëndroj prapa deklaratës së dhënë në polici”, deklaroi dëshmitari.
“U kanë Graniti edhe dy çika. Më 30 nëntor, me sa më kujtohet, është bërë videoja.
Nuk kam parë sjellje të këqija prej Granitit ose Kushtrimit, i kemi pasur mysafirë. Graniti dhe Kushtrimi kanë ardhur me pi kafe në lokalin tonë. Nuk kemi parë diçka të keqe. Kushtrimi me Naimin kanë ardhur nja dy herë, ndërkaq të tretë nuk kanë qenë kurrë, dmth në biznes“.