Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, vazhdon të konsolidojë pozicionin e saj jo vetëm si muzikante, por edhe si një nga gratë më të pasura të reja në industrinë e argëtimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Dokumentet e fundit tregojnë se Ora ka fituar miliona nga marrëveshjet televizive, muzika dhe fushatat e saj fitimprurëse të reklamave.
Llogaritë e depozituara këtë javë nga kompanitë e saj, “Ora Live” dhe “Ora Multi Services”, zbulojnë se Rita ka realizuar një fitim marramendës prej 4.8 milionë funtesh brenda një viti.
Kjo shifër përkthehet në një fitim prej rreth 13,000 funtesh në ditë në periudhën deri në muajin prill dhe shënon më shumë se dyfishimin e fitimeve prej 2.3 milionë funtesh që ajo kishte vitin paraprak.
Këto kompani menaxhojnë turnetë, punën e saj në TV dhe sipërmarrjet e tjera. Rritja e fundit e bilancit bankar të Rita Orës e çon pasurinë e saj neto të vlerësuar në rreth 31 milionë funte.
