Qytetarët kanë ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e jashtëzakonshme, ndonëse kanë shprehur lodhje pasi brenda të njëjtit vit kanë dalë për herë të dytë në votime.
Sipas tyre, qytetarët kanë qenë më të dëmtuarit nga situata politike, por pavarësisht kësaj kanë votuar me shpresën se gjendja do të ndryshojë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Fatmir Kukullari theksoi se vetëm vota mund ta ndalë krizën politike dhe se përgjegjësia bie edhe mbi qytetarët.
“Përfundimisht këto lojërat e partisë që është në pushtet, që e ka vendosur vetveten në pushtet edhe një zot e di kur do të ndalet kjo tani, nëse nuk e ndal vota.
Kështu që mjerisht jemi ne këta që jemi të papërgatitur sepse ne kemi fajet.
Këta mund të vazhdojnë edhe 50 afate të tjera, por punë me shtetin nuk kryejnë, shtet nuk janë duke bërë më.
Nëse bie kjo qeveri dhe shkon aty ku e ka vendin, atëherë ka prosperitet sikurse ka pasur pas luftës e këndej”, ka deklaruar Kukullari.
Ndërsa Burim Beqiri u shpreh se mungesa e stabilitetit qeverisës sjell vetëm shpenzime dhe dëmton shtetin dhe qytetarët, duke apeluar për mirëkuptim dhe unitet mes forcave politike, në mënyrë që vota t’i jepet “vendit të duhur” dhe të sjellë përmirësim për të gjithë.
“Dashtë Zoti të bëhet një qeveri dhe të fitojë më i miri, të kenë mirëkuptim në mes vete. Kështu përçarje nuk mund të bëjmë asgjë.
Normal kjo është lodhje jo vetëm për neve, por për të gjithë shtetin, veç ulje e shtetit është për gjithçka; nëse nuk ka qeveri do të thotë prap në zgjedhje, prap në zgjedhje, vetëm shpenzime të shtetit, shpenzime të qytetarëve.
Qytetarët mos me pasë paga, të ardhura, kjo është shumë e ulët.
Qytetari është dëmtuar, por dashtë Zoti është vetëdijësuar dhe i jep votën vendin e duhur dhe bëhet diçka që pritet mirë për çdonjërin”, theksoi Beqiri.
Ndërsa qytetari Florim Limaj u shpreh se sapo kanë votuar dhe se presin ndryshime të mëdha.
“Sapo votuam, presim ndryshimet.
Ndryshimin e madh. Jemi lodhur, jemi stërlodhur, shpresojmë të jetë e fundit, e përfolëm edhe këtë.”