Ditët kur Selin ishte e banorja e dytë e preferuar e gruas së Mirit, Rabea-s, me siguri kanë marrë fund pas dinamikave të lojës dhe atë që duket si prishje e marrëdhënies së dyshes në shtëpinë e “Big Brother”.
Në një klip të shpërndarë nga faqja zyrtare e “Big Brother VIP Albania”, Selin bën një bisedë me dy banorë të tjerë të shtëpisë, Juelën dhe Arditin, ku thotë se mendon që Miri ndoshta nuk ka një marrëdhënie korrekte me të shoqen, përderisa është akuzuar – siç e dimë – se ka ndjenja për Selin, dhe nuk ka denjuar t’i mohojë në mënyrë të prerë fjalët, për të mbrojtur në fund të fundit dhe dinjitetin e të shoqes që ka jashtë.
“Mua më ka shkuar mendja që ndoshta Miri jashtë me partneren e tij nuk ka një marrëdhënie korrekte. Do të luajë. Po. Nuk po e akuzoj, po them çfarë më ka shkuar mua ndër mend teksa e dëgjoja që akuzohej për të tilla gjëra dhe nuk e mbronte kurrë.
Miri ka ardhur me qëllime të qarta dhe ndoshta atje jashtë e ka bërë të qartë për njerëzit e tij që çfarëdo të ndodhë këtu brenda, kjo është lojë dhe po e bën për ato 100 mijë euro, për të fituar në fund të ditës.”
Mirëpo, Rabea duket se nuk e ka pritur mirë këtë deklaratë të Selinit dhe nuk ka hezituar të postojë një video ku i kundërpërgjigjet:
“Ti do të kapësh prime-n në kurriz të martesës sime, por unë kapa zemrën e burrit tim përpara një dekade. Të dua përgjithmonë schatz-i im.”
Dhe në mbishkrim: “Asnjëri nuk më shan dot martesën time”.
Pavarësisht mbrojtjes që i bëri të shoqit në këtë moment, vlen të përmendet që pak kohë më parë, në një bisedë me Artanin, Miri e bëri të qartë se i ka thënë vërtet të shoqes se në “Big Brother” ka hyrë për të luajtur dhe gjithçka mund të ndodhë.
“Unë do të hyj aty, por ta kesh parasysh se çfarë mund të ndodhë. Je dakord?” kishte qenë pyetja e Mirit për Rabean. Përgjigjja e saj? “Më plasi.”
Nuk e dimë nëse kjo bisedë përmban ndonjë “humbje në përkthim” meqë asnjëri se njeh 100% gjuhën e tjetrit, por sipas këtij rrëfimi të Mirit thuajse një muaj më parë, leximi që i ka bërë Selin tani marrëdhënies që ai mund të ketë me të shoqen, s’duket fort i pabesueshëm.
