Çerek shekulli më parë, dy vëllezërit Artur dhe Arben Mëhilli, u shpallën zyrtarisht në kërkim nga drejtësia shqiptare.
Në vitin 2001, Gjykata e Lushnjës i dënoi në mungesë me 32 vite burg në total, për vrasjen e një të riu, Rezar Metaj në Lushnje në vitin 1999.
Ngjarja ishte hakmarrje e pastër. Në vitin e mbrapshtë 1997, i riu kishte vrarë vëllanë e tyre, Sokol Mëhilli, po në Lushnje, dhe ende nuk ishte arrestuar nga policia. Prej atëherë, e 25 vite më pas, dy vëllezërit u arratisën në Itali. Me identitete të rreme, me emrat e ndërruar në Artur Davidhi dhe Arben Gjermeni, vëllezërit nga Lushnja nisën jetën në shtetin fqinj, duke siguruar edhe leje qëndrimi.
Qetësinë e tyre e prishi një raportim nga Italia për disa familjarë të lidhur me ta jetonin në një zonë, bashkë me dy personat me identitetet e dyshimta. Në mungesë të shenjave të gishtërinjve në Shqipëri, një nga format kryesore shkencore të identifikimit, Agjentët e Interpolit në Tiranë, arritën të gjejnë fotografi të vjetra të dy vëllezërve Mëhilli.
Për të faktuar se të kërkuarit e drejtësisë ishin dyshja që jetonte me letra në Itali, përdorën teknologjinë moderne, “Facial Recognition”, dhe nga krahasimi i tipareve të cilat mbeten të ngjashme, mes fotove të vjetra të Artur dhe Arben Mëhilli dhe fotografive që Italia dërgoi të shqiptarëve me identitetet e tjera, u arrit në përfundimin se ata janë dy personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Arturi ishte 33 vjeç kur u kreu vrasjen, ndërsa sot në Itali u vu në pranga në moshën 60-vjeçare. I vëllai Arbeni, ishte vetëm 27 vjeç, sot në moshën 54-vjeçare. Ata u dënuan nga Gjykata e Lushnjes me 32 vite në total për vrasje me paramendim dhe ar.mëmbajtje pa leje.
Sokol Mëhilli, vëllai i tyre i vrarë në ’97-ën, rezulton të jetë babai i Stenaldo Mëhillit, gazetarit i cili u bë i famshëm së fundmi me pjesëmarrjen e tij në “Big Brother VIP”, spektakël ku edhe tregoi detajet e vrasjes së babait të tij kur ishte vetëm 1 muajsh.
Pas arrestimit në shtetin fqinj, autoritetet shqiptare dhe italiane po bashkëpunojnë për të finalizuar procedurat e ekstradimit në Shqipëri të Artur dhe Arben Mëhillit, për të vuajtur dënimin.