LDK hap dyert: A po vjen rikthimi i Vjosa Osmanit?

Mundësia e rikthimit të ish-presidentes Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës është diskutuar në emisionin “Kosova Today”, pas deklaratave të sekretarit organizativ të LDK-së, Visar Azemi, i cili la të hapur mundësinë që ajo të jetë pjesë e listës së partisë.

Sipas tij, LDK po synon riorganizim dhe bashkim të brendshëm, duke përfshirë edhe figura të dikurshme të saj.

Juristja Krenare Vokshi tha se zhvillimet politike nuk janë statike dhe se riformatimi i raporteve politike mund të shërbejë për stabilitet institucional.

“Politika nuk është statike. Ajo që deri dje është parë si ndarje, sot mund të shndërrohet në domosdoshmëri për bashkim në forma të ndryshme, qoftë për stabilitetin e vendit apo për forcimin e një blloku të përbashkët opozitar. Nuk është e çuditshme që të ketë zhvillime të tilla, pasi hapat e deritanishëm mund të çojnë në këtë drejtim”, tha ajo.

Ndërkohë, gazetari Vullnet Krasniqi vlerësoi se një rikthim i mundshëm i Osmanit do të ndikonte ndjeshëm në skenën politike dhe mund të sjellë tensione brenda LDK-së.

Sigurisht që një rikthim i tillë do ta shkundë LDK-në dhe besoj se mund të sjellë edhe përçarje brenda saj, sidomos sa i përket votave që mund t’i sjellë Vjosa Osmani”, deklaroi Krasniqi.

Njëherësh, profesoresha universitare Vjosa Hamiti theksoi se klasa politike në Kosovë po përballet me mungesë liderësh vizionarë dhe se situata aktuale kërkon më shumë drejtim dhe vizion strategjik.

Në këto katër apo pesë vitet e fundit, sidomos gjatë këtij viti, është e qartë se klasa politike në Kosovë është shumë e dobët, pa përjashtim si në pushtet ashtu edhe në opozitë. Po mungojnë liderët vizionarë që punojnë në interes të Kosovës”, tha Hamiti./Klankosova/

Nga Rubrika