Është fakt që pavarësisht se sa lidhje kemi, ndarja nuk bëhet kurrë më e lehtë.
Nuk ka një zgjidhje magjike se si ta kalojmë një lidhje që ka mbaruar, por ka disa gjëra që mund t’i shmangim. Secili e përballon një ndarje ndryshe, dhe sipas psikologut dhe autorit Grant Brenner, duhet ta njohim shumë mirë veten dhe çfarë funksionon për ne.
Pavarësisht nëse vendimi për t’i dhënë fund lidhjes ishte i ndërsjellë apo e morët vetë, periudha pas një ndarjeje nuk është aspak e lehtë. Për ta menaxhuar atë, mund të provoni shumë gjëra. Të dilni jashtë, të pini, të hani, të ecni, të qëndroni në shtëpi. Çfarëdo që të zgjidhni, ka një gjë që duhet ta shmangni me çdo kusht.
Elle Huerta, CEO dhe themeluese e aplikacionit të ndarjes Mend, thotë për popsugar.com: “Ka shumë gjëra që bëjmë kur ndahemi. Mund të pimë shumë ose të dalim në festë dhe të shmangim ndjenjat tona. Por gjëja më e keqe që mund të bësh është të flasësh me veten negativisht.”
Grant Brenner pajtohet, duke shtuar se një nga gjërat më të rëndësishme pas një ndarjeje është kujdesi për veten.
“Gjëja më e keqe që mund të bësh është ta vendosësh veten në plan të dytë. Të vendosësh veten në plan të parë do të thotë që i do ata, që i dëgjon nevojat e tyre gjatë një kohe shumë të vështirë. Sigurisht, kjo përfshin të ngrënit mirë, të flini mjaftueshëm dhe të bëni ushtrime fizike. Kujdesi për veten përfshin edhe njerëzit me të cilët je afër dhe që të ndihmojnë të kalosh ndarjen.”
Nëse nuk keni një mjedis mbështetës ku ndiheni rehat të flisni, përpiquni të gjeni njerëz që ju kuptojnë ju dhe nevojat tuaja. Shmangni të qëndroni vetëm për një kohë të gjatë dhe jepini vetes mundësinë të shfryheni, sugjerojnë ekspertët.