Lajm i mirë për ata që kanë planifikuar pushimet verore në Shqipëri këtë verë!

Lajm i mirë për të gjithë ata që kanë planifikuar të vizitojnë bregdetin shqiptar këtë sezon veror.

Pas disa vitesh ku çmimet në plazhe ngjasonin me një garë se kush mund të faturonte më shtrenjtë, rregullat e lojës sapo kanë ndryshuar.

Një vendim i fundit qeveritar ka sjellë rregulla të reja që premtojnë t’u japin fund shpenzimeve të papritura për xhepat e pushuesve kosovarë dhe jo vetëm. Zbatimi i këtij rregulli nisi fillimisht nga Vlora, e cila ka miratuar një çmim tavan prej 700 lekësh për shezlongët dhe ka garantuar plot 15 mijë metra vijë bregdetare si plazh publik pa asnjë pagesë.

Në të njëjtën linjë, tashmë edhe Bashkia e Lezhës ka marrë nën administrim plazhet e Shëngjinit dhe Tales. Këtu vjen detaji më i rëndësishëm, pasi zonat e reja të menaxhuara nga shteti do të ofrojnë shezlongë me çmime që pritet të jenë deri në 50 për qind më të lira se vlera aktuale e tregut, duke goditur monopolin e atyre që kontrollonin rërën pa kritere të qarta.

Ligji tani e ndalon që bashkitë t’i nënkontraktojnë apo t’ua japin me qira këto plazhe subjekteve private. Administrimi dhe të ardhurat i mbeten shtetit, një lëvizje që synon të garantojë standardin e higjienës dhe sigurisë.

Për zonat në fjalë, Këshilli Bashkiak votoi zyrtarisht vendosjen e tarifave tavan ku çmimet e shezlongëve do të nisin nga 300 lekë, për të arritur një maksimum prej 2 mijë lekësh vetëm për zonat më ekskluzive.

Gjithashtu, 30 për qind e gjithë vijës bregdetare do të ruhet tërësisht e lirë për të gjithë ata që duan të pushojnë pa asnjë shpenzim ekstra. Kjo strategji synon të kthejë hapësirat publike te qytetarët, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të menaxhohet situata sapo të nisë fluksi i vërtetë i sezonit. /PriveBruto/

Nga Rubrika