Kim Kardashian ka marrë një vendim të vështirë në rrugëtimin e saj për t’u bërë avokate, pasi ka dështuar disa herë në provimin e jurisprudencës në Kaliforni.
Sipas burimeve për TMZ, 45-vjeçarja nuk e ka kaluar provimin e shkurtit dhe nuk planifikon ta provojë sërish në afatin e korrikut.
Edhe pse kandidatet kanë mundësi ta japin këtë provim dy herë në vit, mësohet se Kardashian ka vendosur të bëjë një pauzë të gjatë, duke mos e tentuar sërish deri në vitin 2027.
Rruga e saj në fushën e ligjit ka qenë e gjatë dhe sfiduese. Ajo ka dhënë vetëm një herë provimin kryesor të jurisprudencës, ndërsa më herët është përballur me “baby bar”-in – një test i detyrueshëm për programin e saj të praktikës ligjore – të cilin e kaloi vetëm në përpjekjen e katërt, në vitin 2021.
Në nëntor të vitit të kaluar, Kardashian pranoi publikisht se kishte dështuar edhe në përpjekjen e saj të fundit për provimin e jurisprudencës, duke reaguar me humor në rrjetet sociale: “Epo… ende nuk jam avokate. Thjesht luaj një të tillë të veshur bukur në televizion.”
Megjithatë, ajo theksoi se mbetet e përkushtuar ndaj këtij qëllimi, duke shtuar se nuk ka rrugë të shkurtra dhe se suksesi kërkon kohë, përkushtim dhe punë të vazhdueshme.
Vendimi për të bërë një pauzë nuk ka ardhur papritur. Në një intervistë për Time, Kardashian rrëfeu se dështimi kishte ndikuar në vetëbesimin e saj. Ajo tregoi se kishte preferuar ta ndante vetë lajmin me publikun përpara se rezultatet të bëheshin virale.
Ndërkohë, në reality show-n “The Kardashians”, ajo ka folur hapur për presionin e madh që shoqëron studimet për këtë provim, duke pranuar se në disa momente është ndier e mbingarkuar emocionalisht.
Pavarësisht sfidave, duket se Kim Kardashian nuk ka ndërmend të dorëzohet përfundimisht, por vetëm të marrë kohën e nevojshme për t’u rikthyer më e fortë në këtë rrugëtim.
