Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar Albin Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Haxhiu ka bërë të ditur se vendimi është marrë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pas propozimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kam caktuar z. Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo i ka uruar Kurtit sukses në ushtrimin e përgjegjësive që burojnë nga besimi i qytetarëve, duke shprehur urimin që Qeveria të formohet sa më shpejt.
“Z. Kurtit i uroj sukses në ushtrimin e përgjegjësive që burojnë nga besimi i qytetarëve, si dhe në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka deklaruar Haxhiu.
Pas këtij vendimi, Kurti pritet të nisë procedurat për paraqitjen e përbërjes së Qeverisë para Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/