Stabiliteti politik dhe institucional në Kosovë ka marrë një frymëmarrje të re, falë votimit të presidentit dhe miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, sipas zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Enver Dugolli.
Dugolli theksoi se meritat për këtë arritje i takojnë kryeministrit Albin Kurti, i cili, sipas tij, ka luajtur një rol kyç në këtë proces të rëndësishëm.
“Ky proces ka përfunduar me sukses, duke krijuar një stabilitet të nevojshëm për vendin. Meritat kryesore i takojnë z. Kurti, i cili ka bërë gjithçka për ta arritur këtë,” shprehu ai mendimin e tij në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Kur u pyet për rolin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në këtë situatë, Dugolli e vlerësoi si shqetësuese qasjen e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili refuzoi takimet. Megjithatë, ai theksoi se kontributi i deputetëve që votuan ishte i rëndësishëm.
“PDK duket se e kuptoi situatën, ndoshta sepse nuk kishte më opsione. Moskomunikimi dhe mostakimi ishin shqetësuese për qytetarët. Merita i takon të gjithë deputetëve që morën pjesë në seancë dhe votuan për këto dy pika,” tha Dugolli.
Ndërkohë, mijëra qytetarë protestuan para Kuvendit, duke kërkuar miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Protestat, që filluan më 16 shtator, u intensifikuan edhe më tej.
Dugolli mohoi se qeveria pranoi kushtet e PDK-së si rezultat i presionit nga protestat. Ai theksoi se Kurti e respekton të drejtën e protestës, por nuk i nënshtrohet presionit.
“LVV e Albin Kurtit e njeh më shumë se kushdo tjetër të drejtën e protestës, por është e rëndësishme të kuptohet se nuk është njeri që i nënshtrohet presionit. Duhet të ketë një vullnet për të gjetur zgjidhje dhe për të adaptuar kërkesat e protestuesve,” përfundoi ai.
Ligji për Dhomat e Specializuara u miratua në lexim të dytë të martën, dhe pak pas mesnatës, u zgjodh edhe presidentja e re, Justina Shiroka – Pula.