Limaj: Dënimi i Shalës dhe Mustafës mund të vuhet në Kosovë pas ligjit të ri

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë një deklaratë të rëndësishme lidhur me ligjin për Dhomat e Specializuara, duke sugjeruar se Pjetër Shala dhe Salih Mustafa mund të kërkojnë që dënimet e tyre të vuajnë në Kosovë.

Gjatë një interviste në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Limaj iu bëri thirrje avokatëve të dy ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i inkurajuar ata të parashtrojnë kërkesa për transferimin e klientëve të tyre në institucionet korrektuese të vendit.

“Veprimi i parë që duhet të bëni është të shikoni, që në momentin kur presidentja ta nënshkruaj ligjin dhe ai të hyjë në fuqi, avokatët tuaj duhet të bëjnë kërkesë për t’i sjellë në Kosovë,” tha Limaj, duke theksuar rëndësinë e ligjit në këtë proces.

Ai përmendi nenet 15, 16 dhe 17 të ligjit, të cilat parashikojnë mundësinë e nisjes së procedurave për vuajtjen e dënimeve në Kosovë, duke theksuar se këto nene janë të rëndësishme për të dy të akuzuarit.

“Neni 16 i këtij ligji thotë se dënimi me burgim i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara duhet të vuhet në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi,” sqaroi Limaj.

Ai theksoi se avokatët e Shalës dhe Mustafës duhet ta shqyrtojnë këtë mundësi me seriozitet dhe të nisin procedurat përkatëse sapo ligji të hyjë në fuqi, për të siguruar që klientët e tyre të kenë mundësinë e vuajtjes së dënimit në vendin e tyre.

Deklaratat e Limajt vijnë në një kontekst të gjerë të debatit mbi ndryshimet ligjore që lidhen me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe mundësinë që personat e dënuar nga kjo gjykatë të vuajnë dënimet në institucionet korrektuese brenda vendit, një çështje që ka ngjallur interes të madh publik.

Megjithatë, mundësia e konkretizimit të transferimit të Shalës dhe Mustafës mbetet e varur nga përmbajtja përfundimtare e ligjit dhe procedurat që duhet të ndiqen nga institucionet kompetente, duke lënë hapësirë për diskutime të mëtejshme mbi këtë çështje delikate.

Nga Rubrika