Haziri: Qëndrimi i LDK-së ndaj Ligjit për Specialen është i patundur

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka theksuar se partia e tij është e bindur për vendimin e saj të mos votimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e konsideruar këtë si një qëndrim të qartë dhe të qëndrueshëm politik.

Haziri shprehu se ky vendim nuk është rezultat i pendesës apo ndonjë llogarie politike, por një reflektim i qëndrimeve të LDK-së të shprehura qartë ndaj grupeve politike dhe qytetarëve. Ai theksoi se LDK-ja ka qenë e qartë në qëndrimet e saj për drejtësinë në Kosovë.

“Nuk ka vend për pishman, as për kalkulime politike. Kjo është një qëndrim konsistent që ne e kemi bërë të ditur. Pas gjithë asaj që ka ndodhur në periudhën pasluftës, është e domosdoshme që drejtësia të vendoset për të gjithë,” tha Haziri.

Ai theksoi besimin e LDK-së në drejtësi të barabartë, duke shtuar se krijimi i Dhomave të Specializuara nuk ka arritur të përmbushë pritjet për një sistem të drejtësisë të drejtë. Sipas tij, çështjet e trajtuara nga ky institucion kanë kaluar më parë nëpër zyra të ndryshme, pa sjellë ndonjë ndryshim të dukshëm.

“LDK-ja beson në drejtësi për të gjithë dhe nuk pranojmë që drejtësia të arrihet përmes padrejtësisë. Kjo është perceptimi i shumicës së qytetarëve në Kosovë. Dhomat e Specializuara, si një tribunal i krijuar nga Kuvendi, kanë trajtuar çështje të ngjashme që kanë kaluar nga zyrat e ndryshme,” u shpreh ai.

Haziri gjithashtu komentoi përmbajtjen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se në leximin e vendimit u evidentua lufta ndaj vijës politike të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), si dhe përmendja e LDK-së dhe institucionalizimi i vendit.

“Në pjesën e parë të aktvendimit, fatkeqësisht, u nxor në pah lufta ndaj LPK-së, e më pas u përmend edhe LDK-ja si sinonim i institucionalizimit,” tha Haziri.

Ai përfundoi duke theksuar se vendimi i Dhomave të Specializuara duhet parë në kontekstin e procesit gjyqësor dhe se ky proces nuk ka sjellë një lëvizje të gjerë politike në Kosovë, përkundrazi, ka nxitur protesta me moton “Jo në emrin tonë”.

“Kjo është ajo që e justifikon aktgjykimin e Dhomave të Specializuara. Nuk duhet t’i jepet ndonjë atribut tjetër, përveçse se ky ballafaqim me drejtësinë është bërë në emër të popullit të Kosovës,” përfundoi ai.

Haziri gjithashtu njoftoi se ka shprehur qëndrim personal duke iu bashkuar protestave pas aktgjykimit.

Nga Rubrika