Çmimi i druve për ngrohje ka mbetur konstant këtë vit, duke arritur rreth 60 euro për metër, por shitësit raportojnë një rënie të dukshme të interesit nga qytetarët për blerjen e tij.
Një nga arsyet kryesore për këtë ndryshim mund të jetë rritja e përdorimit të klimave për ngrohje, që po e bën drurin një alternativë më pak tërheqëse për shumë familje.
Florian Haxholli, një punëtor në sektorin e shitjes së druve, shpjegon se çmimi aktual është 60 euro për metër, me mundësi që të arrijë deri në 70 euro. Ai thekson se interesimi i qytetarëve ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara.
“Çmimi sivjet është 60 euro për metër, por mund të bëhet 70 euro. Nuk ka të interesuar, tash më shumë me klima po ngrohen,” shprehet Haxholli.
Ndërkohë, qytetarët kanë mendime të ndryshme për çmimet dhe mënyrat e ngrohjes gjatë dimrit. Disa prej tyre vazhdojnë të preferojnë drurin, ndërsa të tjerë e shohin atë si një opsion të shtrenjtë.
Enver Ahmeti, një qytetar, tregon se familja e tij ka përdorur gjithmonë drurin për ngrohje, por tani e sheh çmimin si një pengesë. “Ma së shumti me dru. Çmimi është i shtrenjtë, mos vet,” thotë ai.
Arsim Osmani, një tjetër qytetar, vlerëson se rritja e përdorimit të klimave ka ndikuar në uljen e kërkesës për dru. “Po duket se pak ka ra, përdorimi i klimave me gjasë e ka ul çmimin e druve,” shpjegon ai.
Afërdita Halili Pllana, nga ana tjetër, thekson se familja e saj përdor ngrohjen qendrore të Termokosit, por e konsideron atë gjithashtu si një opsion të kushtueshëm. “Na ngrohemi me Termokos, mendoj që çmimet nuk janë të përballueshme,” thekson ajo.