Luiz Ejlli: Populli nuk duhet të friksohet nga ata që duhet ta mbrojnë

Ngjarjet e fundit në Tiranë, ku protesta e studentëve u shndërrua në përplasje të dhunshme me policinë, kanë shkaktuar një valë reagimesh nga figura të njohura publike.

Një nga ata që ka shprehur mendimin e tij është Luiz Ejlli, i cili ka vendosur të mos mbetet indiferent ndaj situatës që tronditi kryeqytetin shqiptar.

Në një postim të tij në Instagram, këngëtari ka ndarë një mesazh të fuqishëm, duke theksuar se si institucionet duhet të trajtojnë qytetarët, veçanërisht në situata të tensionuara si këto.

“Një shtet matet nga mënyra se si i trajton njerëzit kur ata nuk pajtohen me të. Populli nuk duhet të ketë frikë nga ata që paguhen për ta mbrojtur”, ka shkruar Luizi, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.

Por mesazhi i tij shkon përtej përplasjeve të dhunshme. Ai gjithashtu flet për dhimbjen që ndjejnë ata që janë larg kamerave, duke u fokusuar në ata që kanë braktisur vendin dhe në të rinjtë që kërkojnë një të ardhme më të mirë.

“Nuk ka britmë më të dhimbshme se sa ajo e një studenti që kërkon drejtësi dhe përfundon duke kërkuar mëshirë”, shprehet ai, duke e bërë të qartë se situata është më e thellë se sa duket.

Protesta e 13 tetorit, e cila kishte si qëllim të ngrinte shqetësime për kushtet në universitete dhe perspektivën e të rinjve, u shoqërua me dëmtime të institucioneve dhe ndërhyrje policore, duke lënë pas persona të lënduar. Pas publikimit të pamjeve të një 19-vjeçari të dëmtuar, Policia e Shtetit njoftoi pezullimin e pesë zyrtarëve dhe nisjen e hetimeve për rastin.

Në përfundim të reagimit të tij, Luizi ka drejtuar një lutje për ata që janë lënduar, duke shprehur dëshirën që dhimbja e tyre të mos harrohet me kalimin e kohës.

“Lutem Zotit që t’i japi forcë atyre që sot po qajnë, t’i shërohen plagët atyre që janë lënduar dhe të mos lejojë që dhimbja e tyre të harrohet nesër”, ka përfunduar këngëtari, duke lënë një mesazh të fortë për të gjithë ne. /Prive By LS

Nga Rubrika