Debati i ashpër mes Mehmetajt dhe Gecit: A po rikthehet censura në Kosovë?

Një përplasje e fortë ka shpërthyer mes gazetarit Lirim Mehmetaj dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, pas një deklarate të fundit të këtij të fundit, i cili ka bërë ankesë në polici për postimin e Mehmetajt.

Mehmetaj ka theksuar se Geci ka dërguar familjarë në zyrën e tij, duke sugjeruar se ankesën e tij në polici e ka bërë vetëm për shkak të reagimeve publike që ka shkaktuar postimi i tij. Ai e ka quajtur këtë veprim si një tentativë për të treguar se po ndjek rrugët institucionale për të zgjidhur problemet.

“Nëse Geci do të kishte vërtetë qëllim të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve, nuk do të dërgonte familjarë në zyrën time. Kjo tregon se ai nuk e respekton as shtetin që partia e tij e udhëheq,” ka thënë Mehmetaj, duke e theksuar se veprimi i Gecit është i papranueshëm në një shoqëri demokratike.

Mehmetaj ka shtuar se në vendet demokratike, askush nuk mund të dërgojë një individ në polici për mendimet e tij. Ai e ka ftuar Gecin që, nëse ndjen se ka qenë i fyer, ta padisë për shpifje dhe të ballafaqohen në gjykatë.

“Koha kur njerëzit burgoseshin për mendimet e tyre ka marrë fund. Ne nuk do të lejojmë që ajo periudhë të rikthehet,” ka shkruar ai, duke theksuar rëndësinë e lirisë së shprehjes.

Ndërkohë, Fatos Geci ka reaguar duke thënë se as Policia e Kosovës dhe as Prokuroria nuk e kanë njoftuar për ndonjë veprim lidhur me rastin e tij. Ai ka pretenduar se pas postimit të Mehmetajt, ai dhe familja e tij kanë marrë qindra kërcënime me jetë.

Geci ka njoftuar se do t’i drejtohet Kryeprokurorit të Shtetit me një ankesë zyrtare, duke kërkuar sqarime për trajtimin e kallëzimit të tij lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe shpifjen. Ai ka theksuar se siguria e tij dhe e familjes duhet të trajtohet si një çështje e sundimit të ligjit, dhe jo si një çështje politike.

“Deri më sot, nuk kam marrë asnjë informacion nëse gazetari është thirrur për t’u intervistuar lidhur me postimin e tij. Pse gjuha e urrejtjes dhe shpifjet nuk po marrin vëmendjen e duhur institucionale?” ka pyetur Geci, duke e krahasuar situatën aktuale me periudha të errëta të së kaluarës.

Si deputet i Republikës së Kosovës, Geci ka shprehur shqetësimin e tij për këtë situatë, duke kërkuar veprime të menjëhershme nga institucionet e drejtësisë për të siguruar mbrojtjen e ligjit dhe të drejtave të individëve.

Nga Rubrika