Brukseli reagon ndaj dhunës në Shqipëri: Kërkon përgjigje proporcionale nga policia

Komisioni Evropian ka shprehur një reagim të fortë ndaj dhunës që ka shpërthyer gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, duke përfshirë zjarrvëniet dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore.

Në një deklaratë të lëshuar më 18 tetor nga Brukseli, Komisioni theksoi se dhuna është e papranueshme në një shoqëri demokratike dhe se çdo reagim nga autoritetet duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe proporcional ndaj situatës.

Komisioni gjithashtu kërkoi që ata që janë përgjegjës për veprime të tilla të mbahen para drejtësisë përmes procedurave ligjore të rregullta.

Rikujtoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore nga të gjithë qytetarët.

Komisioni Evropian mirëpriti angazhimin e autoriteteve shqiptare për të mbrojtur të drejtën për protestë, duke theksuar se si një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria duhet të adresojë pakënaqësitë përmes dialogut konstruktiv dhe rrugëve paqësore.

Komunikata e plotë:

Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda kornizës së ligjit dhe të jetë proporcional. Përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës përmes procesit të rregullt ligjor.

Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.

Ne mirëpresim zotimin e autoriteteve shqiptare se e drejta për të protestuar do të mbrohet. Në një vend kandidat që është fuqishëm i përkushtuar ndaj procesit të anëtarësimit në BE dhe që po shënon përparim të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore.

Nga Rubrika