Stilisti i njohur Valdrin Sahiti ka ndarë me publikun historinë e tij frymëzuese në emisionin “Goca dhe Gra”, duke zbuluar se si arriti të shndërrohet në një emër të njohur në industrinë e modës.
Me një portofol të pasur, Sahiti ka krijuar veshje për disa nga emrat më të njohur të botës, përfshirë Beyonce, Jennifer Lopez, Mariah Carey dhe shumë të tjerë. Ai ka arritur të shtrijë ndikimin e tij nga Hollywood-i deri në Lindjen e Mesme, duke veshur më shumë se 30 figura të njohura.
Stilisti theksoi se momenti që e ndihmoi të besonte te potenciali i tij erdhi kur kuptoi se kufijtë e vendlindjes së tij nuk përputheshin më me ambiciet e tij. Ai shpjegoi se si kjo realizim e ndihmoi të kalonte barrierat e para në karrierën e tij.
“Kam filluar në momentin që kufijtë e vendlindjes nuk kanë qenë kufijtë e ambicieve të mia. Unë e kuptova se mund të arrija më shumë se sa mund të ofronte vendi im,” tha Sahiti, duke theksuar rëndësinë e mendimit të lirë.
Kur u pyet për financimin e veshjeve të personazheve të famshëm, ai shpjegoi se një brand shqiptar, dhe sidomos kosovar, nuk ka mundësi të investojë në nivele të tilla të larta. Ai theksoi se suksesi i tij ka ardhur përmes një rruge organike, duke përfituar nga fuqia e mediave sociale.
“Realisht, një brand shqiptar nuk mund të përballojë një buxhet për veshjen e celebriteteve. Suksesi im erdhi si rezultat i një debutimi global në 2017, që u mundësua nga Instagram dhe teknologjia dixhitale,” shpjegoi ai.
Valdrin Sahiti pranoi se rruga për të ndërtuar një markë të besueshme ka qenë e vështirë, veçanërisht për shkak të sfidave që vijnë nga vendi i tij. Ai theksoi se vështirësitë ekonomike dhe sociale kanë ndikuar në zhvillimin e brandit të tij.
“Nuk ka qenë e lehtë për markën të fitojë besueshmëri, për shkak të vështirësive që ka hasur vendi ynë. Por, unë besoj se disiplinën dhe këmbënguljen janë çelësi i suksesit,” përfundoi ai, duke theksuar rëndësinë e këtyre vlerave në zhvillimin e talentit.
“Unë besoj fuqishëm në talent dhe mendoj që talenti është dhuntia që natyra i ofron njeriut në këmbim të përsosmërisë së njeriut. Por besoj fuqishëm në anën tjetër, që këmbëngulja dhe disiplina janë faktori numër një i suksesit. Me talentin lindim dhe jo të gjithë e kanë, është një dhuratë nga natyra, një prekje e Zotit. Këtë e kam dëshmuar nga vetja, nga ekipi, nga njerëzit që kam punuar, nga kolegë, nga këngëtarët, nga njerëzit që rrin, e kupton që njerëzit e talentuar nuk janë njerëz të zakonshëm. Por mendoj që konsistenca dhe disiplina janë dy gjërat kryesore që e mbështesin talentin dhe i japin talentit formë,” përfundoi ai.