Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, gazetari Elton Tozaj ka bërë një rikthim të papritur në rrjetet sociale, duke i dhënë fund spekulimeve mbi gjendjen e tij.
Tozaj, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes për denoncimet e tij të fundit, shprehu mirënjohje për të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe interesuar për fatin e tij.
“Shumë faleminderit të gjithë atyre që u interesuan sinqerisht për mua”, shkroi ai në një postim në InstaStory.
Në reagimin e tij, ai zbuloi se telefonat e tij ishin nënshtruar një kontrolli për kërcënimet që pretendon se ka marrë, duke theksuar se situata do të vazhdojë të monitorohet me kujdes.
“Telefonat e mi iu nënshtruan një kontrolli për kërcënime e tash e në vijim çdo gjë do të jetë nën mbikëqyrje të rreptë për çdo situatë të ngjashme”, u shpreh Tozaj, pa dhënë detaje të tjera për procedurën.
Ai gjithashtu kritikoi ashpër mediat që raportuan për gjendjen e tij, duke shprehur se çështjen ua ka lënë Zotit dhe ligjit, duke e cilësuar këtë si një abuzim të rëndë.
“Media që më bënë të vdekur i kam lënë Zotin dhe gjyqin! Ato që abuzuan në emër të familjes time Zotin dhe ligjin!”, shkroi ai.
Shqetësimi për gazetarin u rrit pasi dy kolegë të tij, Ilir Vrenozi dhe Elton Ilirjani, njoftuan se nuk kishin arritur të komunikonin me të. Më vonë, nëna e Tozajt konfirmoi se kishte folur me të dhe se ai ishte mirë.
Kjo situatë erdhi pas publikimit të një fotografie nga Tozaj, ku ai shfaqej i gjakosur, duke pretenduar se ishte sulmuar fizikisht nga disa individë. Rrethanat e plota të ngjarjeve dhe kërcënimeve të pretenduara mbeten ende të paqarta.
Reagimi i tij i fundit shënon rikthimin e tij në skenën publike pas aludimeve të shumta, duke lënë pas një atmosferë tensioni dhe misteri rreth situatës së tij.