Çështja penale që përfshin këngëtarin e njohur Luiz Ejlli, i akuzuar për falsifikim dokumentesh, ka rikthyer vëmendjen e drejtësisë shqiptare.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit që shpalli të pafajshëm Ejllin, Prokuroria ka vendosur të mos heqë dorë dhe ka dërguar dosjen në Gjykatën e Lartë për shqyrtim të mëtejshëm.
Seanca për shqyrtimin e rekursit të depozituar nga prokuroria është planifikuar të mbahet më 24 nëntor, ndërsa çështja do të udhëhiqet nga gjyqtari Sokol Binaj.
Akuzat ndaj Luiz Ejllit përfshijnë veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, e cila dyshohet se është kryer në bashkëpunim. Sipas dosjes, ngjarja lidhet me humbjen e licencës së tij si noter.
Prokuroria pretendon se Ejlli ka përdorur vulën noteriale për të krijuar një deklaratë që justifikonte burimin e një shume prej 210 mijë eurosh, në favor të shtetasit Fatmir Avdurramani.
Kalvari gjyqësor i kësaj çështjeje ka kaluar nëpër dy shkallë të gjyqësorit, me vendime të ndryshme. Në 2 tetor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e shpalli fajtor këngëtarin, duke e dënuar me 1 vit burgim.
Megjithatë, në 8 maj 2025, Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi vendimin e shkallës së parë, duke shpallur të dy të pandehurit të pafajshëm. Pas këtij vendimi, Prokuroria e Apelit depozitoi rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila tani pritet të japë fjalën e fundit mbi këtë çështje.