Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete.
“Sot rreth orës 19:30, kemi pranuar informatën se në rrugën Komoran–Carralevë ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit janë lënduar pesë persona, njëri nga të cilët ka vdekur”, konfirmoi ajo.
Ahmeti tha se vdekja e viktimës (mashkull) është konstatuar nga ekipi mjekësor në Shtëpinë e Shëndetit në Komoran.
“Personat e tjerë të lënduar janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërkohë që me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, deklaroi zëdhënësja.