Familja e Selin Bollatit i është drejtuar zyrtarisht Top Channel dhe produksionit të Big Brother VIP Albania, duke shprehur shqetësimin e tyre të thellë për situatën e krijuar pas Prime-it të fundit në shtëpinë e BBVIP.
Në reagimin e tyre thuhet se banori Rogert Sterkaj ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme gjuhë fyese, denigruese dhe shpifëse ndaj Selin Bollatit, duke cënuar rëndë dinjitetin, integritetin dhe figurën e saj si grua dhe profesioniste.
Sipas familjes, janë bërë akuza të pavërteta dhe insinuata me natyrë poshtëruese, përfshirë aludime për përfitime financiare dhe vënie në dyshim të aftësive të saj profesionale si balerinë.
Po ashtu, theksohet se nga i njëjti banor janë ngritur akuza të pabaza edhe ndaj produksionit, duke pretenduar shkelje të rregullores nga ana e Selin Bollatit, deklarata që sipas familjes dëmtojnë imazhin e saj dhe vënë në pikëpyetje seriozitetin e programit.
Familja nënvizon se këto veprime nuk përfaqësojnë debat apo lojë, por përbëjnë dhunë psikologjike, bullizëm dhe cenim të rëndë të dinjitetit njerëzor, në kundërshtim me parimet dhe rregulloren e Big Brother VIP.
Në fund, familja kërkon që situata të trajtohet me përgjegjësi të plotë institucionale dhe të merren masat e nevojshme sipas rregullores së programit, për të ndalur gjuhën denigruese, shpifjet dhe sulmet personale që tejkalojnë çdo kufi të lejueshëm.
