Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se seanca konstituive pritet të thirret tek në fillim të muajit tjetër, rrjedhimisht në fund të afatit kushtetues. Por, kjo po shihet e panevojshme nga monitoruesit e Kuvendit, meqë sipas tyre konstituimi i Kuvendit është dashur të bëhet menjëherë pas certifikimit të rezultateve.
Deputetet e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, nuk do ta bëjnë betimin e tyre të paktën edhe për dy javët e ardhshme.
Kështu tha ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila shtoi se u ka dhënë kohë partive politike për takime para se të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit.
“Duke qenë që pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kohore për zgjedhjen e presidentit, pra janë 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe të, që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaroi Haxhiu.
Haxhiu teksa foli për pezullimin e takimeve nga LDK-ja, për shkak të zhvillimeve brenda kësaj partie, tha se duhet të ketë përpjekje nga të gjithë për të shmangur zgjedhjet.
“Prandaj, si ushtruese e detyrës së presidentes, unë i kam mirëpritur takimet e zhvilluara me ftesë të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, zotërit Albin Kurti. E kam vlerësuar pozitivisht qasjen e LDK-së dhe PDK-së, pra që kanë pranuar që të vazhdojnë këto takime.
Nuk më duket mirë që tashmë LDK-ja ka pezulluar, si me thënë, takimet për të arritur një marrëveshje. Ftoj edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që t’i përgjigjet pozitivisht ftesave për takime sepse nuk mund të kemi marrëveshje pa pasë takime. Prandaj, qasja serioze, konstruktiviteti në këto diskutime sjell te një marrëveshje”, tha Haxhiu.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se është e paarsyeshme vonesa për konstituimin e Kuvendit.
“Është jashtëzakonisht e panevojshme që të pritet 30 ditë e mandej të thirret në ditën e 30, për arsye se Kuvendi dhe Republika, po ashtu edhe institucionet tashmë janë jashtëzakonisht vonë nga bllokadat që kemi përjetuar dhe se një gjë e tillë është e panevojshme dhe e padobishme.Kështu që seanca konstituive është dashur që të thirret menjëherë pas certifikimit zyrtar të rezultateve”, u shpreh Melos Kolshi nga IKD-ja.
Pas takimeve me liderët e partive opozitare, Albin Kurti u dakordua që të paktën me LDK-në ato të vazhdojnë, duke dhënë sinjale se marrëveshja me partinë e udhëhequr aktualisht nga Lumir Abdixhiku, është afër./Tv Dukagjini/