Brendi i njohur i modës “Bukur”, i themeluar nga stilistja e suksesshme Blerina Kllokoqi-Rugova, është përzgjedhur për të dizajnuar uniformat e reja të Ushtrisë së Republikës së Kosovës.
Kjo është një arritje e jashtëzakonshme që shënon një hap të rëndësishëm për industrinë vendase të modës, duke theksuar potencialin dhe kreativitetin e profesionistëve të modës kosovar.
Blerina Kllokoqi-Rugova, e njohur për dizajnet e saj elegante dhe inovative, ka shprehur emocionet e saj për këtë arritje. “Me krenari ju njoftojmë se brendi “Bukur” është përzgjedhur që t’i dizajnojë uniformat e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, një nder i madh dhe një arritje historike për ne si brend,” tha ajo.
Përzgjedhja e Blerinës për këtë projekt tregon se moda dhe funksionaliteti mund të bashkohen në një formë që e përfaqëson dinjitetin e Ushtrisë.
Dizajni i uniformave do të ketë për qëllim të pasqyrojë forcën dhe profesionalizmin e forcave të armatosura kosovare.
Ky bashkëpunim shënon një moment historik për industrinë e modës në Kosovë, duke dëshmuar se talenti vendor mund të kontribuojë në sektorë të ndryshëm, përfshirë atë ushtarak.