Cfarë po ndodh pas ‘zhdukjes’ së Dhurata Dorës

Një lëvizje e papritur ka ndodhur së fundmi në llogarinë e një prej këngëtareve shqiptare.

Dhurata Dora është “zhdukur” nga Instagrami! Këngëtarja ka vendosur të arkivojë çdo fotografi dhe video nga profili i saj, duke e lënë llogarinë me zero postime, pavarësisht numrit të madh prej më shumë se 2.4 milionë ndjekësish.

Në fakt, kjo lëvizje drastike në botën virtuale vjen pas një periudhe ku Dhurata ka zgjedhur të jetë tejet hermetike me daljet dhe jetën e saj publike. Prej kohësh, fansat kishin vënë re një distancim të këngëtares nga rrjetet sociale, duke shmangur përditësimet dhe duke ruajtur një profil shumë më të heshtur se zakonisht.

Kjo heshtje është reflektuar edhe në tregun muzikor. Kanë kaluar tashmë disa muaj që kur Dhurata nuk ka servirur asnjë projekt të ri për publikun e saj besnik. Kujtojmë se kënga e saj e fundit ishte në fund të muajit tetor të vitit të kaluar, kur solli bashkëpunimin me reperin Noizy.

Por çfarë po ndodh realisht?

Siç e do tradita e pashkruar e showbiz-it, kur artistët bëjnë lëvizje të tilla të guximshme duke zbrazur rrjetet sociale, kjo thuajse gjithmonë përkthehet si “qetësia para stuhisë”. Me shumë gjasë, Dhurata po përgatitet për një rikthim të fuqishëm me një epokë të re muzikore, ndoshta një album ose një super projekt.

Gjithashtu ditën e djeshme, raportuam për të njëjtin veprim të Butrint Imerit, i cili kishte fshirë po ashtu çdo postim nga llogaria e tij në Instagram.

Tani që sezoni i verës po afron me hapa të shpejtë, këngëtarja duket se po “mbush bateritë” në heshtje, për të qenë padyshim sërish kryefjala e hiteve verore./PriveLiberta/

Nga Rubrika