Organizatori i protestave 21 ditore në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së në Hagë, Çlirim Haziri, e ka cilësuar votimin e Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së si një fitore të rëndësishme për protestuesit që kanë qëndruar në sheshet e Prishtinës.
Pas miratimit të ligjit, Haziri theksoi se ky moment nuk duhet të shihet si fundi i angazhimit qytetar, por si një hap të rëndësishëm në vazhdimin e kauzës për të cilën protestuesit kanë luftuar gjatë tri javëve të fundit.
“Fitorja e sotme është e madhe, por ky është vetëm fillimi i një angazhimi të pandalshëm qytetar për mbrojtjen e Republikës,” u shpreh ai para protestuesve të pranishëm.
Haziri theksoi se presioni i vazhdueshëm i qytetarëve ka qenë vendimtar për arritjen e këtij rezultati në Kuvend, duke e cilësuar ligjin si një fitore të popullit.
“Ky ligj nuk na u fal. Ky ligj nuk kaloi nga dëshira e atyre aty brenda. Ky ligj u fitua këtu jashtë. U fitua nga ju,” deklaroi Haziri, duke e theksuar rëndësinë e angazhimit qytetar.
Ai kritikoi mënyrën se si politika e trajtoi këtë çështje gjatë ditëve të fundit, duke theksuar se protestuesit kishin vënë re “luhatje” dhe “kalkulime” përpara votimit.
Sipas tij, qytetarët nuk duhet të protestonin për 21 ditë për të arritur një vendim që ai e konsideron si një detyrim ndaj trashëgimisë së UÇK-së.
Megjithatë, Haziri u kërkoi protestuesve të mos e shohin votimin si një arritje përfundimtare. “Ky votim sonte nuk është asnjë mrekulli. Ai është thjesht një borxh i vonuar, një detyrim minimal që ky shtet e kishte ndaj atyre që i dhanë jetën,” tha ai.
Në një pjesë emocionale të fjalimit, ai përmendi emra të njohur si Adem dhe Hamëz Jasharin, Zahir Pajazitin dhe Fehmi Lladrovcin, duke theksuar se miratimi i ligjit nuk e përfundon përgjegjësinë institucionale ndaj luftës së UÇK-së.
Haziri lidh vazhdimin e protestave me proceset gjyqësore në Hagë, ku po gjykohen ish drejtues të UÇK-së. “Mendja dhe zemra jonë mbeten atje, në Hagë,” tha ai, duke shprehur angazhimin e vazhdueshëm.
Ai paralajmëroi se organizatorët do të vazhdojnë angazhimin për sigurimin e fondeve dhe zbatimin e plotë të ligjit nga institucionet e Kosovës. “Ne do të jemi këtu derisa pafajësia e krerëve tanë të vërtetohet plotësisht,” përfundoi ai, duke ftuar protestuesit të vazhdojnë të mblidhen në sheshet e Prishtinës.
Fjalimin e tij e përmbylli me falënderime për qytetarët për pjesëmarrjen gjatë 21 ditëve të protestave dhe me thirrjen: “Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës!”