Suplemente që pretendojnë të kenë përfitime të shumta për shëndetin mund të jenë më të dëmshme sesa të dobishme – duke ndikuar në funksionin e mëlçisë, duke shkaktuar gurë në veshka dhe madje duke rritur rrezikun e kancerit.
Ky është një paralajmërim i fortë nga dietologët e njohur, që janë duke e ndihmuar publikun të kuptojë se jo çdo gjë që reklamohen si “e mirë për shëndetin” është vërtet e tillë. Në veçanti, një dietologe e njohur, Nichole Andrews, ka tërhequr vëmendjen për rreziqet që lidhen me disa suplemente që përdoren gjerësisht.
Ajo tha se shumë nga suplementet ushqimore, të cilat ndiqen si zgjidhje për shëndetin e mirë, mund të kenë efekt të kundërt. Kjo është veçanërisht shqetësuese për ata që kanë nevojë për mbështetje dietike, si pacientët me kancer.
“Shumë prej nesh i drejtohen suplementeve si uthulla e mollës, kolagjeni, gummies për lëkurë/flokë/thonj, shafrani dhe vitamina C për zgjidhje të shpejta,” tha Andrews në një postim të saj në Instagram, duke paralajmëruar se përdorimi i tepruar i këtyre substancave mund të ketë efekte negative në shëndet.
Ajo ka bërë thirrje për kujdes të veçantë për disa suplemente specifike, të cilat shpesh besohen si “të shëndetshme”, duke theksuar që dozat e tepërta mund të kenë efekte të dëmshme. Në veçanti, është theksuar rreziku i ndodhisë së kancerit përmes disa nga këto produkte.
Suplementet më problematike:
1. Kapsulat me uthull molle
Hulumtimet e kufizuara sugjerojnë përfitime të uthullës së mollës për humbje peshe dhe kontrollin e tensionit të lartë, por këto pretendime zakonisht bazohen në studime laboratorike dhe jo në njerëz. “Uthulla e mollës mund të irritojë sistemin tuaj tretës dhe të dëmtojë smaltin e dhëmbëve për shkak të aciditetit të saj të lartë,” tha Andrews.
Një alternativë më e sigurt për tretjen është përdorimi i ujit me limon ose ushqimeve të fermentuara si kimchi dhe lakër turshi.
2. Kolagjeni
“Kolagjeni është thelbësor për lëkurën dhe nyjat, por trupi juaj prodhon mjaftueshëm kolagjen nga një dietë e ekuilibruar,” tha ajo. Ushqime si pula, peshku, vezët, agrumet dhe manaferrat janë burime më të mira për kolagjen dhe vitaminë C.
3. Biotina (vitamina B7)
Biotina shpesh rekomandohet për forcimin e flokëve dhe thonjve, por në formë suplementesh, sasia e tepërt mund të ndikojë te testet e gjakut. “Është më mirë ta merrni biotinën nga ushqimet si vezët, arrat, perimet me gjethe, avokadot dhe patatet e ëmbla,” tha Andrews.
4. Shafrani (turmeric)
Edhe pse shafrani vlerësohet për vetitë e tij anti-inflamatore, dozat e larta mund të irritojnë stomakun dhe të ndikojnë te mëlçia. Rekomandohet që shafrani të konsumohet si pjesë e vakteve, si në kerri ose smoothie, së bashku me yndyrna të shëndetshme për përthithje më të mirë.
5. Vitamina C
Megjithëse vitamina C është jetike për shëndetin e lëkurës dhe sistemin imunitar, suplementet me doza të larta (më shumë se 200% e dozës ditore) mund të shkaktojnë gurë në veshka dhe probleme tretjeje. “Përdorni ushqime si portokallet, luleshtrydhet, specat dhe brokolin për të marrë sasinë e nevojshme të vitaminës C,” tha Andrews.
Studimet për rreziqet e suplementeve
Një studim i vitit 2023, i botuar në The Journal of Clinical Investigation, sugjeroi se antioksidantë si vitaminat C dhe E mund të ndihmojnë rritjen e tumoreve. Hulumtuesit nga Instituti Karolinska në Suedi injektuan qeliza kanceroze në mushkëri të minjve dhe i ushqyen ata me vitamina C dhe E në doza të larta. Rezultatet treguan se këto vitamina rritën një proteinë që ndihmon furnizimin me gjak të tumoreve, duke ndihmuar kështu rritjen e tyre.
Dietologia Andrews theksoi rëndësinë e marrjes së vitaminave dhe mineraleve nga ushqimet e plota në vend të suplementeve të panevojshme, për të shmangur rreziqet për shëndetin. Ajo inkurajon individët që të drejtohen gjithnjë te burimet naturale ushqimore për të përmirësuar shëndetin e tyre, duke krijuar kështu një balancë të shëndetshme në dietë.