Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka kaluar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale pas një lëndimi që ka pësuar në këmbë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një fotografie nga spitali, ku shihet duke buzëqeshur dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Përkrah fotos, Hoxhaj ka treguar se operacioni ka shkuar me sukses dhe se ndodhet në proces rikuperimi.
Në postimin e tij deputeti shkroi: Të dashur miq, Pas një lëndimi të rëndë në këmbë, për të cilin u desh të operohesha, ditët e fundit kanë qenë një periudhë jo e lehtë për mua dhe familjen time. Për fat të mirë, gjithçka shkoi mirë dhe po rikuperohem gradualisht.
Gjatë kësaj kohe kam ndjerë sinqerisht kujdesin, mbështetjen dhe dashamirësinë tuaj. Mesazhet, telefonatat dhe fjalët e mira i vlerësoj shumë. Falënderim të veçantë për mjekët, infermierët dhe gjithë stafin mjekësor për profesionalizmin, përkushtimin dhe kujdesin që treguan në çdo moment. Faleminderit nga zemra secilit prej jush për afërsinë dhe përkujdesjen që keni treguar.