Web Analytics

Escobar dhe Lajçak sot e nesër në Prishtinë dhe Beograd

Botuar nga: InfoKosova

Emisarët e SHBA-së dhe BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, kanë planifikuar të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin sot dhe nesër.

Kjo vizitë është konfirmuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë të tij.

Vizita e tyre vjen në një kohë kur situata në veri të Kosovës është tensionuar, pasi që komuniteti serb nuk po pranon kryetarët e zgjedhur shqiptarë në tri komunat në veri.

Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak pritet të inkurajojnë palët të ndërmarrin hapa për të zbutur tensionet në veri.

Gabriel Escobar, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, ka dhënë një intervistë për BBC-në lidhur me tensionet në veri të Kosovës.

Ai ka theksuar se përshkallëzimi i tensioneve në veri ishte i parandalueshëm.

“Ky përshkallëzim ka ndodhur pjesërisht si rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare për të dëgjuar komunitetin ndërkombëtar. Kjo ka provokuar tensione të panevojshme duke insistuar në përdorimin e objekteve komunale. Ka ndërtesa të tjera ku mund të punohet, dhe pandemia e COVID-19 na ka treguar se puna mund të bëhet edhe në vende alternative”, deklaroi Escobar.

Ai gjithashtu përsëriti se cikli i dhunës duhet të thyhet dhe të dy palët, Kosova dhe Serbia, kanë përgjegjësi për të vepruar në këtë drejtim.

Në të njëjtën linjë, Miroslav Lajçak, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, deklaroi se përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës është i panevojshëm dhe i papërgjegjshëm.

“Është e qartë se kjo situatë mund të zgjidhet vetëm politikisht përmes dialogut ekzistues”, tha Lajçak.

Protestat e serbëve vendas kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale këtyre komunave kanë vazhduar që nga 26 maji.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapat drejt zbutjes së tensioneve.

Më 29 maj, situata përkeqësohet në Zveçan pas përplasjes së protestuesve serbë me trupat e KFOR-it.

Gjatë kësaj ngjarje, 30 trupa paqeruajtëse janë plagosur, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjatë protestave janë dëmtuar dhe djegur mjete të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.

Të FUNDIT