Filmi i ri muzikor për Michael Jackson-in ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në kinematë botërore, duke vendosur rekord për fundjavën më të suksesshme të hapjes për një film biografik.
Produksioni, ku rolin kryesor e interpreton nipi i tij Jaafar Jackson, ka arkëtuar 217 milionë dollarë në nivel global që nga publikimi të mërkurën, duke lënë pas rekordet e mëparshme të zhanrit.
Deri tani, kryesimin e mbante filmi Bohemian Rhapsody, i frymëzuar nga jeta e Freddie Mercury, i cili debutoi me 124 milionë dollarë në vitin 2018. Ndërkohë, Michael ka kaluar edhe suksesin e Oppenheimer, duke u bërë hapja më e madhe globale për një biografi të çdo lloji.
Kreu i studios Lionsgate, Adam Fogelson, deklaroi se shifrat e larta reflektojnë interes të gjerë nga publiku në të gjitha grupmoshat, duke theksuar se filmi po pritet me entuziazëm nga audienca.
Megjithatë, reagimet e kritikëve kanë qenë më të rezervuara. Sipas platformës Rotten Tomatoes, filmi ka marrë vetëm 38% vlerësim nga kritikët, ndërsa publiku e ka vlerësuar me 97%, duke treguar një diferencë të theksuar në perceptim.
Filmi fokusohet kryesisht në karrierën muzikore të Jackson-it, duke përdorur vokalet e tij origjinale dhe rikrijime spektakolare të koncerteve. Në të njëjtën kohë, ai shmang përmendjen e akuzave për abuzim seksual ndaj fëmijëve, çështje që kanë shoqëruar figurën e artistit ndër vite. Jackson ka mohuar vazhdimisht këto akuza dhe u shpall i pafajshëm në vitin 2005.
Fillimisht, projekti parashikonte përfshirjen e disa prej këtyre akuzave, përfshirë rastin e Jordan Chandler, por skenat u hoqën pas zbulimit të një marrëveshjeje konfidenciale që ndalonte përmendjen e tij në projekte filmike.
Si pasojë, filmi u rishkrua dhe u rixhirua pjesërisht, duke përfunduar narrativën në vitin 1988, përpara shpërthimit të polemikave. Regjisori Antoine Fuqua e cilësoi këtë proces si një sfidë të madhe për ekipin realizues.