Web Analytics
E mërkurë, 1 Tetor, 2025
9.1 C
Pristina

Gashi: Rruga është e qartë – ose konstituohet Kuvendi, ose vendi shkon në zgjedhje

Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë sot vendimin lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Sipas vendimit, nga dita e hyrjes në fuqi, Kuvendi ka vetëm 12 ditë kohë për të përmbyllur procesin e zgjedhjes së strukturave të tij udhëheqëse. Gjykata ka obliguar të gjithë deputetët që të ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke vepruar në interes të shtetit.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se “logjika kushtetuese është e qartë: nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit, ai shpërndahet dhe qytetarët shkojnë në zgjedhje brenda 45 ditëve. Nuk ka më justifikime për bllokada politike.”

“Vendimi i Gjykatës i jep vendit një afat të qartë për të shmangur krizën politike: ose Kuvendi konstituohet shpejt, ose qytetarët do të vendosin përsëri në zgjedhje”, tha Gashi.

Lëvizja Vetëvendosje, parti që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe aktualisht është në pushtet, e ka kritikuar masën e vendosur nga Kushtetuesja prej kur është pranuar lënda, ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë ditë më parë se beson që bllokimi i Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga pakica serbe, përderisa Kryesia e tij ka kuorum, do t’i cenonte në mënyrë serioze themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti.

Sipas saj, votimi në pako për dy pozitat e rezervuara për minoritetet nuk kërkohet me Kushtetutë, siç pretendon Lista Serbe, dhe se Rregullorja e Punës e Kuvendit nuk është mbi dokumentin më të rëndësishëm në vend.

Pavarësisht se kanë kaluar muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Kosova vazhdon të mos i ketë institucionet e reja. Partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë arritur pajtueshmëri për të çuar procesin përpara dhe për rrjedhojë Gjykata Kushtetuese është detyruar të dalë disa herë me aktgjykime.

Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe me nëntë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me tetë të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Faktori ndërkombëtar ka bërë disa herë thirrje që Kosova t’i formojë sa më shpejt institucionet e reja.

PROMO

Nga Rubrika