Incident i rëndë, pezullohet transmetimi i sezonit të ri të këtij reality show

Një ngjarje e rëndë ka detyruar produksionin dhe kompaninë AcunMedya të pezullojnë transmetimet dhe të ndërpresin xhirimet e reality show-t “Survivor Greece” në Republikën Dominikane.

Aksidenti ka ndodhur gjatë kohës së lirë, kur konkurrenti 21-vjeçar, Stavros Floros, u godit nga helika e një varke turistike teksa po bënte gjueti peshqish me shtizë në ujëra të pashënuara.

Disa nga konkurrentët e tjerë, të cilët ishin të pranishëm gjatë këtij momenti të rëndë, kanë ndërhyrë menjëherë për ta nxjerrë atë nga uji.

Pasojat e këtij aksidenti kanë qenë shumë të rënda për të riun, i cili ka pësuar amputim të pjesshëm të këmbës së majtë poshtë gjurit, si dhe trauma të forta në kyçin e këmbës së djathtë.

Edhe pse Stavros ndodhet tashmë i stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën në spital, ngjarja ka rënduar psikologjikisht kastin e mbetur. Pjesëmarrësit janë prekur nga ngjarja që dëshmuan dhe raportohet se kanë kërkuar rikthimin e tyre në shtëpi. Për shkak të kësaj situate, drejtuesit e produksionit po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e mbylljes përfundimtare të këtij sezoni pa shpallur një fitues.

Ndërkohë, drejtuesi i AcunMedya, Acun Ilicali, ka marrë përsipër mbulimin e të gjitha shpenzimeve mjekësore. Ai po merret personalisht me procedurat për ta transferuar të riun në një klinikë të specializuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rehabilitim dhe trajtim të mëtejshëm.

Familjarët e tij kanë mbërritur tashmë në Republikën Dominikane për t’i qëndruar pranë në këto momente të vështira.

Nga Rubrika