Web Analytics

Jasharaj kritikon Qeverinë: Ka tendencë për shuarjen e sindikatave

Botuar nga: InfoKosova

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka mbajtur takimin përmbyllës duke analizuar aktivitetet e zhvilluara e duke bërë planifikime të veprimtarive sindikale në vitin 2024.

Përfaqësuesit e të punësuarve që nga çerdhet e deri në universitete kanë vlerësuar se viti 2023 ishte me plot sfida, por edhe me arritje të shumta.

Në këtë takim, Këshilli Drejtues e ka shpallur kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, sindikalist të vitit.

“Duke vlerësuar lart angazhimet e koordinatorit për organizim të brendshëm Ymer Ymeri, Këshilli Drejtues e shpalli atë sindikalist të vitit në SBASHK dhe falënderon gjithë sindikatat e Kosovës që në kuadër të BSPK-së e shpallen sindikalist të vitit në nivel vendi kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj”, thuhet në komunikatën për media.

Jasharaj duke prezantuar raportin e punës ka deklaruar se “fatkeqësisht edhe në vitin 2023 Qeveria Kurti e në këtë kuadër edhe Ministrja Nagavci kanë vazhduar me qasjen e gabuar ndaj sindikatave dhe i kanë ikur dialogut të mirëfilltë”.

“Për çka përmes shkresave janë kritikuar edhe nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), që numëron 11 milionë anëtarë dhe Internacionales Botërore të Arsimit (EI), që numëron 32 milionë anëtarë. Jasharaj ka kujtuar edhe tendencën e Qeverisë për shuarjen e sindikatave përmes pengesave të regjistrimit në e-Kosova, por u ka shkuar huq, siç tha Jasharaj, sepse shumica e të punësuarve në arsim kaloi këto barriera duke dëshmuar se janë bashkë e në SBASHK. Ai pastaj ka përgëzuar veprimtarët sindikalë dhe stafin qendror, të cilët kanë arritur të realizojnë detyrat e planifikuara për vitin 2023”.

“Anëtarët e Këshillit Drejtues kanë bërë vlerësim të angazhimeve e aktiviteteve sindikale në komuna e në universitete duke përmendur trajnimet e organizuara me qindra punëtorë të arsimit, organizimin me sukses të aktiviteteve kushtuar ditës së madhe të mësuesit, rrjedhën e mbarë të pushimeve për qindra punëtorë arsimor në bregdetin shqiptar dhe aktivitetet e shumta me Qendrën Amerikane të Solidaritetit duke veçuar punëtoritë sindikale në shtatë qendrat e Kosovës dhe Tryezën përgatitore me pjesëmarrjen e të gjitha palëve që ndërlidhën me arsimin për të mbajtur në shkurtin e vitit 2024 Konferencën ndërkombëtare lidhur me ruajtjen dhe kujdesin për shëndetin mendor në shkolla”.

“Ata kanë theksuar se punëtorët e arsimit falë Kontratës Kolektive të Arsimit kanë realizuar përmes gjykatave benifite të shumta, që u ka krijuar kjo Kontratë”, vijon njoftimi i SBAShK-ut. /Telegrafi/

Të FUNDIT