Kosova hedh hapin e rëndësishëm drejt anëtarësimit në SEPA

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka shprehur kënaqësinë e saj për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit nga Kuvendi, duke e konsideruar këtë një arritje të rëndësishme për integrimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

Miratimi i këtyre ndryshimeve përfaqëson një nga kushtet kryesore legjislative që BQK-ja ka vendosur për të avancuar procesin e anëtarësimit, një iniciativë që ka filluar me paraaplikimin në vitin 2024.

Me hyrjen në fuqi të ligjit, BQK-ja do të nxjerrë rregulloret e nevojshme dhe do të përfundojë përditësimin teknik të aplikimit, duke u bazuar në ndryshimet e legjislacionit evropian dhe duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian.

Pasi të përfundojnë këto hapa, aplikimi do të dorëzohet për shqyrtim, duke u përputhur me procedurat dhe afatet e institucioneve kompetente evropiane.

Ndërkohë, BQK-ja, në bashkëpunim me sektorin bankar, vazhdon përgatitjet për implementimin e skemave të pagesave SEPA, duke siguruar që çdo detaj të jetë i përgatitur për këtë proces të rëndësishëm.

BQK-ja ka theksuar angazhimin e saj për të avancuar sa më shpejt këtë proces, duke garantuar përmbushjen e kërkesave të nevojshme dhe koordinimin me institucionet evropiane.

Anëtarësimi i Kosovës në SEPA pritet të sjellë përfitime të mëdha për qytetarët, bizneset dhe diasporën, duke lehtësuar kryerjen e pagesave ndërkufitare në euro me shpejtësi dhe kosto më të ulët.

Vlerësimet nga BQK-ja sugjerojnë se përfitimet financiare nga ky anëtarësim mund të arrijnë deri në 55 milionë euro kursime në vit.

Nga Rubrika