Edi Rama: Protestat e dhunshme, një sfidë për Shqipërinë europiane

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me forcë ndaj protestave të fundit në Shqipëri, duke i cilësuar protestuesit që hedhin gurë ndaj policisë si një “grup zjarri i paguar”. Ai shprehu shqetësimin për dhunën dhe dëmet e shkaktuara, duke theksuar se ato mund të riparohen, por që përbëjnë një rrezik të madh për rendin publik.

Rama, në një komunikim nga zyra e tij, theksoi se dëmet e shkaktuara gjatë protestave janë të konsiderueshme, por ai beson se ato mund të adresohen. Ai u shpreh se është përpjekur të shmangë dhunën dhe provokimet që mund të çojnë në përshkallëzimin e situatës.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri mbajti në dorë një gur, duke paralajmëruar për rrezikun që paraqet përdorimi i objekteve të tilla në protestat e dhunshme. Ai theksoi se një gur mund të shndërrohet në një armë vdekjeprurëse, duke mohuar që ata që angazhohen në akte dhune të jenë domosdoshmërisht studentë.

“Nuk janë studentët që protestojnë, por një grup zjarri i paguar”, theksoi Rama, duke sugjeruar se protestat janë të organizuara dhe të financuara nga individë të caktuar.

Kryeministri gjithashtu u ndal te roli i Policisë së Shtetit, e cila, sipas tij, ka përballuar për orë të tëra sulme me gurë dhe dhunë. Ai vuri në dukje se punonjësit e policisë, të cilët janë në shërbim të qytetarëve, po demonizohen në media si autorë të dhunës.

“Familjet e atyre djemve dhe vajzave që janë me uniformë përballen me këtë dhuratë (për gurin), pa pushim! Ata demonizohen si autorë të dhunës në ekranet televizive”, shprehu shqetësimin Rama, duke i quajtur ata “heronj të shtetit” për sakrificën e tyre në mbrojtje të rendit publik.

Kryeministri theksoi se protestat përbëjnë një sfidë jo vetëm për qeverinë, por edhe për rrugën europiane të Shqipërisë. Ai e përshkroi situatën si një provokim ndaj një misioni më të madh, që është integrimi europian i vendit.

“Këto protesta nuk sfidojnë vetëm qeverinë, por edhe Shqipërinë europiane që ne synojmë të arrijmë deri në vitin 2030”, përfundoi Rama, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit dhe rendit në këtë proces.

Nga Rubrika