Haradinaj akuzon Kurtin për dhunë ndaj protestuesve: Një akt politik i papranueshëm

Ramush Haradinaj, ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka ngritur akuza të rënda ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke i akuzuar se kanë urdhëruar ndërhyrjen e Policisë gjatë protestës së 5 tetorit. Kjo protestë u organizua në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Gjatë një interviste në emisionin Debat Plus, Haradinaj theksoi se ndërhyrja e Policisë ndodhi një natë para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar këtë veprim si një vendim të motivuar politikisht.

“Kryeministri priti deri një natë para skadimit të afatit dhe dha urdhër politik për të ndërhyrë, duke iu treguar ligjin. Po kujt ia tregon ligjin, atyre që kërkojnë zbatimin e tij?”, shprehu shqetësimin Haradinaj.

Ai theksoi se protestuesit kishin dalë në rrugë për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe jo për të kërkuar diçka të paligjshme, duke theksuar se ata ishin qytetarë që meritojnë respekt.

“Qeveria që merr pagat nga taksat e këtyre njerëzve, duhet të tregojë më shumë respekt ndaj tyre”, tha Haradinaj, duke kritikuar ashpër trajtimin e protestuesve nga ana e Policisë.

Haradinaj shprehu respekt për Policinë, por e kritikoi ashpër për ndërhyrjen që e cilësoi si të urdhëruar politikisht, duke theksuar se duhet të bëhet një dallim mes qeverisjes dhe sundimit.

“Policia duhet të respektojë rendin dhe ligjin, por nuk duhet të lejojë që politika të ushtrojë dhunë përmes mekanizmave të saj”, deklaroi ai, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së rendit në mënyrë të ligjshme.

Haradinaj përmendi se protestuesit, të cilët kërkonin zbatimin e ligjit, u përballën me gaz lotsjellës dhe dhunë nga ana e Policisë, duke e cilësuar këtë si një akt të papranueshëm.

“Sundimtari i detyroi ata njerëz të përballen me plagë dhe trauma, duke i dhënë gaz lotsjellës dhe dajak. E kujt është kjo qeveri që përdor dhunë ndaj qytetarëve që kërkojnë drejtësi?”, përfundoi Haradinaj, duke shprehur shqetësimin për situatën e krijuar pas protestës së 5 tetorit, e cila u përshkallëzua jashtë Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Nga Rubrika