Meta përballet me një dëmshpërblim rekord prej 25 miliardë dollarësh pas vendimit të gjykatës

Kompania Meta, e njohur për platformën e saj Facebook, është detyruar të paguajë një dëmshpërblim të jashtëzakonshëm prej 25 miliardë dollarësh (22.3 miliardë euro) pas një vendimi të rëndësishëm nga një gjykatës në New Mexico. Ky vendim erdhi pas një procesi gjyqësor ku u konstatua se kompania kishte mashtruar konsumatorët e saj.

Akuzat që qëndrojnë në themel të këtij procesi lidhen me mbledhjen e të dhënave të miliona përdoruesve të Facebook-ut pa miratimin e tyre, nga një kompani konsulence politike e angazhuar në fushatën presidenciale të Donald Trump në vitin 2016.

Padia e ngritur ndaj Metës nga prokurori i përgjithshëm i New Mexico-s në vitin 2021, u bazua në zbardhjen e skandalit të Cambridge Analytica, e cila kishte aksesuar të dhëna personale të rreth 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut përmes një aplikacioni të palëve të treta.

Akuzat përfshinin informacion të rremë të dhënë përdoruesve për mënyrën se si Meta menaxhonte të dhënat e tyre, si dhe për politikat e saj mbi gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin. Shteti pretendoi se Meta ishte në dijeni të qasjes së gjerë të palëve të treta në informacionet personale dhe se lejonte përhapjen e gjuhës së urrejtjes kur kjo i sjellte përfitime financiare.

Pas një shqyrtimi të detajuar, juria arriti në përfundimin se Meta kishte kryer më shumë se 43 milionë shkelje të ligjit të mbrojtjes së konsumatorit në New Mexico. Kjo përllogaritje u bazua në numrin e përdoruesve të Facebook-ut që ishin prekur nga deklaratat mashtruese të kompanisë.

Prokurori i Përgjithshëm i Nju Meksikos, Raul Torrez, shpjegoi se ligji i shtetit lejon gjoba deri në 5,000 dollarë për shkelje dhe se e gjithë shuma e dëmshpërblimit do të shkojë për sistemin shkollor të Nju Meksikos.

Gjatë procesit, një prokurore shtetërore kishte kërkuar që dëmshpërblimi të arrinte deri në 40 miliardë dollarë, duke argumentuar se gjykata duhej të dërgonte një mesazh të qartë për Metën. Ndërkohë, kompania kishte kërkuar që shuma të mos kalonte 3.45 miliardë dollarë, duke pretenduar se një ndëshkim më i madh mund të kishte pasoja të rënda për bizneset në shtet.

Kjo është hera e dytë brenda gjashtë muajve që Meta përballet me një vendim të tillë në New Mexico. Në mars, një gjykatë kishte konstatuar se kompania kishte mashtruar përdoruesit për sigurinë e adoleshentëve në platformat e saj si Facebook, Instagram dhe WhatsApp, duke rezultuar në një dëmshpërblim prej 375 milionë dollarësh dhe një fond për shëndetin mendor të adoleshentëve.

Nga Rubrika