Kush e përfiton e kush jo pagën e 13-të? Ministri Murati jep detajet

Pas vendimit të Qeverisë për miratimin e pagës së 13-të për sektorin publik, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka shpjeguar procedurat, kategoritë përfituese dhe mënyrën se si do të kalkulohen këto mjete.

Ministri Murati sqaroi se paga e 13-të do t’u takojë të gjithë atyre që marrin pagë nga buxheti i shtetit, por shuma varet nga përvoja e vitit të fundit.

“Po e miratojmë pagën e 13-të për të gjithë në sektorin publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit të Kosovës. Sa i përket pagës së 13-të, kanë qenë raste kur është shikuar se si të zbatohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Është rasti i të gjithë atyre personave që tashmë kanë 12 muaj të plotë në sektorin publik dhe e marrin pagën e 13-të të plotë, e cila është e barabartë kur të llogaritet me vlerën e koeficientit shumëzuar me njësinë e koeficientëve që ka pozita përkatëse për personin i cili është në listën e pagave në muajin mars”, deklaroi Murati.

Për punonjësit që nuk kanë mbushur një vit të plotë në punë, Ministri njoftoi se do të aplikohet skema proporcionale në bashkëpunim me Thesarin.

“Mirëpo kemi hasur edhe në situatë kur, ta zëmë, nuk kanë përmbushur të gjithë 12 muajt. Për të qenë sa më korrekt, jemi dakorduar me Thesarin dhe kemi siguruar fondet e mjaftueshme për këta persona që nuk i kanë të përmbushur 12 muajt të plotë të jepet pjesa e pjesshme. Pra, për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar këta muajt e fundit, proporcionalisht ju takon paga e 13-të. Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar, jo të plotë.”

Një pikë e rëndësishme e vendimit është trajtimi i grave në pushim lehonie, të cilat do të paguhen sikur të kishin qenë aktive në punë.

“Njëkohësisht jemi përkujdesur për gratë lehona të cilat janë në pushim të lehonisë apo kanë qenë në pushim të lehonisë përgjatë kësaj periudhe 12 mujore. Muajt e kaluar në pushimin e lehonisë do të njihen sikurse muajt kur kanë punuar me orar të plotë, në mënyrë që të mos përjashtohen apo të kalojnë tek paga e pjesshme, por ta marrin pagën e 13-të të plotë”, tha ai.

Megjithatë, Ministri bëri të ditur se jo të gjithë do të përfitojnë nga kjo masë:

“Edhe personat që figurojnë të suspenduar në këtë muaj aktualisht, apo kanë qenë më herët dhe ende vazhdon suspendimi i tyre, të mos përfshihen në listën e pagës së 13-të“, tha ai.

Ai dha detaje se si do të veprohet edhe për zyrtarët që mbanjë më shumë se një funksion.

“Vendimi parasheh që pavarësisht funksioneve apo pozitave shtesë që mund të ketë një person, paga e 13-të jepet vetëm një herë sipas këtij vendimi dhe gjithsesi do të merret paga më e favorshme në muajin përkatës përgjatë përllogaritjes.”, deklaroi ai./Insajderi/

Nga Rubrika