Një pyetje e thjeshtë për orën që kishte në dorë Mark Zuckerberg ka sjellë në pah emrin e një shqiptari që po shkruan historinë në botën e luksit. Kjo ngjarje ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, duke e bërë Rexhep Rexhepin një emër të njohur në industrinë e orëndreqësisë.
Gjatë një interviste të shkurtër para konferencës vjetore të Meta-s, Zuckerberg u pyet për orën e tij. Ai u përgjigj menjëherë, duke shprehur admirimin e tij për krijimin e veçantë që kishte në dorë.
“Oh, është një krijim i Rexhepit. Është fantastike!”
Rexhep Rexhepi, orëndreqësi i njohur nga Kosova, aktualisht jeton në Gjenevë dhe është një nga emrat më të njohur në këtë fushë. Ora që Zuckerberg kishte në kyçin e tij është më shumë se një aksesor; ajo është një vepër arti.
Bëhet fjalë për modelin Rexhep Rexhepi Chronomètre Contemporain I, i prezantuar në vitin 2018. Ky model në ar rozë ka një numërues të zi, i cili është realizuar me teknikën tradicionale grand feu. Mekanizmi i saj është manual dhe ofron një rezervë energjie prej 100 orësh. Ky model fitoi çmimin për orën më të mirë për meshkuj në Grand Prix d’Horlogerie de Genève, një nga vlerësimet më prestigjioze në këtë industri.

Vlera e këtij modeli është rritur ndjeshëm që nga lançimi i tij. Kur doli në treg, ora në ar rozë kishte një çmim rreth 55 mijë franga zvicerane. Megjithatë, vetëm disa vite më vonë, një Chronomètre Contemporain I u shit në ankand për rreth 924 mijë dollarë, duke treguar se sa shumë është rritur kërkesa për këtë krijim të veçantë.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Zuckerberg ka paguar një milion dollarë për orën që mban. Vlerat e tregu lidhen me rritjen e interesit për këtë model, i cili është bërë një objekt i dëshiruar nga koleksionistët.
Pas suksesit të tij, qëndron një histori e veçantë. Rexhep Rexhepi u largua nga Kosova në moshë të re dhe filloi formimin e tij profesional te Patek Philippe në moshën 15-vjeçare. Pas përvojave të tij në industrinë zvicerane, ai themeloi markën e tij Akrivia në moshën 25-vjeçare.
Me prodhimin e kufizuar dhe një fokus të jashtëzakonshëm në detaje, orët e Rexhepit janë bërë të preferuara nga koleksionistët e pasionuar. Dhe ndoshta, komplimenti më i madh për të është se, kur një nga figurat më të njohura të teknologjisë u pyet për orën që kishte në dorë, ai nuk përmendi asnjë nga markat tradicionale si Rolex apo Patek Philippe, por thjesht tha: “Rexhepi”.