Kleo Vrioni dhe Sara Brugnatelli humbën jetën në aksidentin tragjik në Manëz, bashkë me 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri. Në Shqipëri vijojnë hetimet për shkaqet e aksidentit, në Itali ka lindur një tjetër pikëpyetje.
Sipas Corriere della Sera, familja e 26-vjeçares Sara Brugnatelli thotë se nuk kishte dijeni për një martesë të mundshme të saj me Kleon.
Një nga hipotezat është se çifti mund të jetë martuar në Shqipëri, në një ceremoni private, por kjo ende nuk është konfirmuar. Në Erbusko, ku Sara jetonte prej vitesh, familjarët dhe miqtë e kujtojnë si një vajzë të dashuruar me jetën dhe veçanërisht me kuajt, pasionin e saj më të madh. Muajt e fundit ajo e ndante kohën mes familjes dhe Kleo Vrionit, i cili jetonte në Ponte San Pietro.
Ndërkohë, hetimet në Shqipëri po përqendrohen te rrethanat e aksidentit. Dyshohet se automjeti po lëvizte me shpejtësi të lartë, rreth 115–130 km/h, ndërsa po verifikohet edhe nëse drejtuesi ishte nën efektin e alkoolit.
Familja e Sarës tashmë pret kthimin e trupit të saj në Itali, ndërsa mbetet ende pa përgjigje pyetja nëse ajo dhe Kleo ishin martuar pak ditë para tragjedisë dhe pse familjarët e saj nuk kishin dijeni.