Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë për bllokimin e projekteve të rëndësishme për kryeqytetin.
Rama, në një video të publikuar mbrëmë, theksoi se policia, duke vepruar me një “urdhër nga lart”, ka ndaluar vendosjen e një murali për Nënë Terezën, i cili ishte planifikuar të zbatohej më 28 Nëntor.
“Të gjitha lejet e nevojshme janë siguruar nga komuna, por ata vazhdojnë të pengojnë pa asnjë dokument zyrtar. Mjafton një urdhër nga lart për të bllokuar një projekt të tillë. Çfarë do të ndodhë me projektet e tjera në kryeqytet?” shprehu shqetësimin Rama.
Ai e cilësoi këtë veprim si të turpshëm dhe kërkoi që inatet politike të lihen mënjanë. “Zgjedhjet kanë përfunduar, le të bashkëpunojmë për qytetarët e kryeqytetit,” tha ai.
Për të diskutuar më tej këtë çështje, Rama ka thirrur një konferencë për media që do të mbahet sot në orën 09:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë reagoi mbrëmë, duke theksuar se Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk është në pronësi të saj, pa autorizim dhe konsultim me ministritë përkatëse.