Presidentja e vendit ka caktuar datën 28 dhjetor për zgjedhjet e përgjithshme.
“Thirrja ime për partitë është të bëni fushatë dinjitoze. Pas dekretit për shpërndarje i vjen rendi diskutimit për datën e zgjedhjeve.
21 dhe 28 dhjetor mund të bëhen zgjedhjet. Pas konsultimit me partitë dhe KQZ-në, data e vetme e mundshme është 28 dhjetor”, tha Osmani.
Osmani sot mbajti një takim me liderët partiakë për të caktuar datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme pasi Lëvizja Vetëvendosje dështoi për të dytën herë të formojë qeverinë pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit.
Më herët Presidenca njoftoi për shpërndarjen e Kuvendit.
“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”.