Ish-banori i Big Brother, Miri, ka thyer heshtjen lidhur me deklaratat e forta të babait të Selinit, duke i cilësuar ato si perceptime të gabuara dhe të ndikuara nga faktorë të jashtëm.
Gjatë një interviste, Miri u shpreh se përballja me akuzat e prindit të Selinit ishte një “surprizë e hidhur” që erdhi pas një momenti emocionues me vajzën e tij brenda shtëpisë.
Miri theksoi se ndonëse e mirëkupton instinktin prindëror për të mbrojtur fëmijën, ai nuk pajtohet me mënyrën se si u hodhën akuzat drejt tij.
“Deklarata e tij mund të ketë ardhur për të mbrojtur fëmijën e tij… por nuk do isha nxitur të akuzoj një njeri kur nuk ka fakte. Të gjykohesh nëpërmjet perceptimit për mua nuk është mirë, se krijohet një debat nga asgjëja”, deklaroi ai në Top Channel.
Një nga pikat më të forta të kundërpërgjigjes së Mirit ishte pyetja se pse babai i Selinit kërkonte largimin e tij dhe jo të vajzës së vet, nëse vërtet situata ishte aq shqetësuese sa pretendohej.
“Nëse ai e ka parë ashtu, duhet t’i thoshte vajzës së tij ‘largohu’. Pse duhet të largohesha unë? Ne ishim në lojë, ishim në Big Brother”, u shpreh Miri, duke insistuar se qëndrimi i tij mbetet i palëkundur.
Sipas Mirit, babai i Selinit ka rënë pre e gjykimeve të banorëve të tjerë brenda shtëpisë dhe komenteve të shumta në rrjetet sociale, gjë që ka deformuar realitetin e marrëdhënies së tyre në lojë.
Ai mbylli deklaratën duke thënë se nuk dëshiron t’i kthehet më kësaj çështjeje, pasi çdo ndryshim qëndrimi do të nënkuptonte pranimin e një faji që ai thotë se nuk e ka.
